Reshjet e dendura të dëborës kanë mbërthyer veriun e vendit gjatë orëve të para të mëngjesit.
Raportohet se në akset e Lotit 1, Hani i Hotit-Tamarë, Tamarë-Vermosh & Bogë-Theth ka patur rënie gurësh e inertesh nga shpatet, të cilat janë pastruar nga kompanitë mirëmbajtëse të rrugëve.
Pavarësisht reshjeve të borës, borëpastrueset kanë bërë të mundur që të mos ketë probleme me qarkullimin e mjeteve.
Në aksin Bogë-Theth bora vazhdon të bjerë me intensitet të lartë, ndaj po punohet me dy borëpastruese për të mbajtur rrugën të hapur.
Reshjet e dëborës janë rikthyer edhe në zonat malore të juglindjes së vendit. Më të dendura reshjet kanë qenë në lartësitë në 1200 m mbi nivelin e detit, madje në afërsi të Bigëllit në Dardhë trashësia ka arritur në 10-15 cm.
Aksi rrugor është i kalueshëm pa probleme ndërkohë që reshje dëbore të dendura ka patur edhe në fshatrat e Devollit të Sipërm, Sinicë, Qytezë, Arrze, Nikolice.
Reshje bore ka pasur edhe në zonën e Shtyllës së Vithkuqit por trashësia nuk ka qenë më e madhe se 5 cm në majë të Mashkullorës.
Nga reshjet e dëborës të orëve të fundit nuk raportohen probleme përsa i përket qarkullimit në zonat malore kjo e për atë sepse temperaturat nuk kanë shkuar nën minus.
Nga ana e OSSHE zyrtarisht u tha se në asnjë prej zonave të qarkut të Korçës nuk ka pasur probleme përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Në disa zona ka patur vetëm stakime të kontrolluara për shkak të stuhisë një natë më parë