Armë dhe gjëra personale të Isa Boletinit të ardhura nga Tirana do të ekspozohen në Prishtinë.
Në “Ekspozitën Bazë” e cila do të hapet në Muzeun e Kosovës nga 23 shkurti, do të ekspozohen artefakte dhe koleksione të objekteve të trashëgimisë dhe historisë së vendit tonë.
Muzeun e Kosovës e ka vizituar sot edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, i cili tha se është premtim i Ministrisë dhe Qeverisë që trashëgimia kulturore të trajtohet ashtu siç duhet.
“Është ky një përkushtim dhe premtim i yni si ministri dhe si Qeveri e Kosovës në tërësi që trashëgiminë kulturore të vendit tonë ta trajtojmë ashtu siç duhet dhe e kemi mbështetur fuqishëm realizimin e ekspozitës në fjalë dhe dua të shpreh falënderimin e mirënjohjen për të gjithë ata që janë angazhuar për ta arritur një punë të këtillë të mrekullueshme”, tha ministri.
Ministri Gashi gjatë vizitës së tij në Muzeun e Kosovës ka pranuar dhe shpalosur eksponatet e heroit kombëtar Isa Boletini nga Muzeu Kombëtar i Republikës së Shqipërisë, ndër to revolverin, shpatën, xhamadanin, orën dhe pipën.
Objektet e heroit do të jenë të ekspozuara për publikun në një afat të përkohshëm deri në muajin maj.
“Eksponatet që do të prezantohen në këtë ekspozitë datojnë që nga koha e Neolitit deri me shpalljen e pavarësisë së Republikës së Kosovës në vitin 2008. Të gjitha këto janë artefakte të trashëgimisë së luajtshme kulturore të Kosovës dhe pasqyrojnë identitetin kulturor dhe historike të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës.
Veritas.com.al/