(FOTO: Nga Ura Vajgurore, 1997)
Fran Marashi, i dënuar në mungesë me burgim të përjetshëm për vrasjen e 4 punonjësve të policisë dhe plagosjen e 6 të tjerëve. Ngjarja tragjike ka marrë emrin “Masakra e Urës Vajgurore”. Ngjarja e ndodhur gjatë trazirave të vitit 1997, do të rigjykohet nga Gjykata e Posaçme.
Ndërkohë procesi ka nisur në Gjykatën e Posaçme pas vendimit të Gjykatës së Lartë që këtheu edhe njëherë dosjen për rigjykim me kërkesë të Marashit.
Ky i fundit pretendon se nuk ishte vënë në dijeni të gjykimit. Fillimisht ai iu drejtua, me kërkesë, Gjykatës së Tiranës për riçelje të procesit dhe kjo e fundit ia kaloi për kompetencë Gjykatës së Lartë që ka vendosur ta rikthejë për gjykim Gjykatën e Posaçme. Seanca e së martës që drejtohej nga gjyqtari Erjon Bani u shty për shkak se nuk kishin marrë njoftim familjarët e viktimave për tu paraqitur në senacë.
Nga ana tjetër Marashi u arrestua në vitin 2001 në Itali dhe 6 vite më vonë u ekstradua drejt vendit tonë. Ai ka pretenduar se është dënuar padrejtësisht pasi në kohën që gjykata ka dhënë vendimin me burg përjetë nuk ka patur dijeni për porcesin që zhvillohej në Shqipëri.
Përveç Marashit, me burgim të përjetshëm janë dënuar edhe Shkëlqim e Musa Protoduri, ndërsa 5 persona të tjerë nga 8 deri në 25 vite heqje lirie.
Ngjarja për të cilën akuzohet Marashi ka ndodhur më datë 17 qershor 1997, ku mbetën të vrarë 5 persona dhe u plagosën 6 të tjerë, të gjithë punonjës policie.