Rihapet çështja e kontrollit të PD. Ditën e sotme Gjykata e Tiranës ka pranuar ankimin e Partisë Demokratike, përfaqesuar nga Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të Agron Zhukrit që regjistroi ndryshimet Statutore në Partinë Demokratike sipas Kuvendit të 11 dhjetorit të Sali Berishës,
Gjykata e Tiranës pranoi kërkesën e Enkelejd Alibeaj duke legjitimuar atë si ankues, duke pranuar të drejtën e ankimin, dhe duke konstatuar që ankimi i paraqitur ka bazë të mjaftueshme për pranim dhe nuk është abuziv dhe i paligjshëm.
Gjyqtarja Blerina Muça vendosi në Dhomë Këshillimi se PD perfaqesuar nga Alibeaj ka të drejtë ta paraqesë ankimin në Apel të vendimit të Zhukrit. Tashmë, i takon Gjykatës së Apelit të vendosë nëse do të pushojë ankimimin, apo do të kthejë për shqyrtim po në Gjykatën e Tiranës por me trupë tjetër gjykuese, kërkesë padinë e Rithemelimit për regjistrimin e statutit të 11 dhjetorit që Zhukri e vulosi më 25 mars 2022.
Nëse vendimi i Zhukrit rrëzohet në apel, Sali Berisha e humbet sërish kontrollin e PD që në fakt e mori pa pritur shkallët e tjera të vendimit.
Pasi gjykata pranoi ankimin e Alibeajt ka ardhur edhe reagimi i Komisionit të Rithemelimit, ku përfaqësuesi ligjor Ivi Kaso e konsideroi nul vendimin e Gjykatës. Sipas tij, Alibeaj nuk është palë në çështje. I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazment Bardhi i cili thotë se Berisha është me dy standarde, kur i pëlqen vendimi i zbaton, por kur nuk i pëlqen sulmon Gjykatën. Më tej Bardhi thotë se koha kur kërcënoheshin gjykatat dhe gjyqtarët i përkasin sëshkuarës.
Përfaqësues ligjorë të Rithemelimit janë shprehur më herët se Enkeleid Alibeajt nuk mund të ankimonte vendimin e Agron Zhukrit duke qenë se nuk ishte palë në proces. Por gjyqtarja Blerina Muça vendosi ta pranojë ankimin e palës ankuese, Alibeaj, duke e kaluar për shqyrtim në Gjykatën e Apelit.
Blerina Muçën, të njëjtën gjyqtare që sot i dha një hap shprese drejt shkallës së dytë të drejtësisë, Enkeleid Alibeaj e ka dërguar në Apel për 18 dhjetorin. Blerina Muca regjistroi vetëm kuvendin e 17 korrikut 2021 të PD-së dhe refuzoi të shqyrtojë kërkesën për regjistrimin e 18 dhjetorit, duke argumentuar se kishte shkelje procedurale. Kështu, në Apel PD pret të arrijë, rrëzimin e vendimit të Agron Zhukrit dhe regjistrimin e statutit të 18 dhjetorit.
Në vendimin që i hapi rrugën Sali Berishës për të hyrë në selinë blu me statutin e Komisionit të Rithemelimit si organi drejtues deri në kuvendin e 30 prillit, Zhukri quajti të ligjshëm dorëzimin e firmave të delegatëve në zyrën e Edi Palokës dhe drejtimin e një Kuvendit të 11 dhjetorit nga një komision me anëtarë që duhet të propozoheshin nga Lulzim Basha sipas statutit, por që i propozoi Berisha dhe Paloka. Gjyqtari Agron Zhukri, në konflikt interesi regjistroi statutin e miratuar në Kuvendin e Thirrur prej Sali Berishës, në të cilin delegatët vendosën edhe shkarkimin e Lulzim Bashës si drejtues i PD, por edhe organeve drejtuese të Partisë.
Kujtojmë se ndonëse Sali Berisha sillet si drejtues i PD dhe e ka marrë të mirëqenë faktin se sipas tij Komisioni i Rithemelimit është një organ legjitimin dhe vendimet e tij janë të detyrueshme për zbatim, në Gjykatën e Tiranës rezulton ende Lulzim Basha si kryetar i Partisë Demokratike. Komisioni i Rithemelimit prej datës 25 marsit ka marrë kontrollin e selisë së PD-së, por gjykata nuk e njeh atë ligjërisht. Gjykata ka thënë se do të pritet vendimi deri sa të marrë formë të prerë për të regjistruar vendimin e gjyqtarit Agron Zhukri i cili njohu ndryshimet statutore të Sali Berishës, pasi vendimi i tij është apeluar nga PD dhe ende nuk është dhënë një vendim i formës së prerë.