Nga Enkelejda Guna

Një ditë e zakonshme para se të isha në paraburgim?…

Gëzim.T. 17 vjeç“Pothuajse gjithë vitin orën e parë të mësimit e kisha të humbur. Nuk zgjohesha dot. Pastaj pija kafe para lokalit të shkollës dhe aty rrija deri sa dilnin për shokët e klasës nga mësimi… thoja më mori malli po i pres t’i përshëndes. Edhe kur shkoja në shkollë më dukej sikur më zinte gjumi. Më shumë rrija në telefon. Por nuk i bezdisja zyshat. Nuk është se kisha një punë, por gjatë orës së mësimit më bëhej mëndja të dilja vërdallë. Ecja kot, nuk kam lënë cep të Tiranës pa shëtitur.

Kishte pasdite që shkoja e rrija tek lokali kur babi kishte ndonjë punë tjetër, por dihej që me humbje dilja sepse nuk e kisha mëndjen fare kush hynte e kush dilte.

Një herë thua? Kisha raste pafund kur kot më mërzitej telefoni, e shisja, blija tjetër të vjedhur apo të përdorur nga të tjerët. Takoja pasdite dy shoqe. Të dashur nuk mbaja dot sepse e kisha vdekje të më shkruanin apo të më pyesnin në telefon: ku je? Ku shkon? Me kë je? Kisha shumë qejf t’i ngacmoja gocat, t’i vija në siklet por jo t’i ofendoja. Darkën më duhej edhe që të kthehesha në shtëpi, por përgjithësisht isha jashtë me shokët. Pinim ndonjë cigare, qeshnim, fiksoheshim, debatonim, shkonim në calcetto. Të nesërmen pastaj nuk i dihej se me çfarë humori gdhihesha.”

Dhe Gëzimi nuk është i vetmi, për fat të keq! Janë shumë.

Aq shumë janë të miturit që ndonëse të vegjël në moshë kanë një trajektore jete ku lineariteti që nga lindja deri 15, 16, 17 vjeç… është ndarë në epokën para burgut dhe në epokën pas burgut!

Shkolla, familja, shoqëria mbeten për ta entitete që nuk e kanë humbur peshën, për mirë bëhet fjalë. Por jeta e tyre është ndarë më dysh… Dhe kjo pjesa nga paraburgimi e këtej, që i bie të jetë sigurisht e fatmirësisht më e gjata në vite nuk është se u jep fort siguri për të ardhmen.

Në literaturnën dhe praktikën juridike këta fëmijë quhen “të mitur në konflikt me ligjin”. Kanë kryer vepra të ndryshme penale. Kanë vuajtur paraburgimin në Institutin e vuajtjes së dënimit penal për të mitur në Kavajë, ndërsa prisnin vendimin e formës së prerë nga gjykata dhe sot, e vuajnë dënimin të lirë por me kushtet e vëna nga gjykata. Kjo falë “frymës miqësore”, qëllimeve “restauruese” dhe jo thjesht penalizuese të Kodit të drejtësisë Penale për të Miturit, i cili ka hyrë në fuqi që në janar 2018.

Por çfarë ndodh me këta të mitur në këtë fazë “të lirisë me kusht”?

Ata janë qytetarë si unë e si ti. Jetojmë në të njëjtën lagje. Kanë ca të drejta të cilat pushteti vendor duhet t’ua përmbushë për t’i riintegruar në shoqëri, dmth, në jetën sociale, në përgatitjet dhe aftësimin për tregun e punës me qëllim që të mos i rikthehen rrugës së shkeljes dhe konfliktit me ligjin.

Jam njohur me projektin që Qendra për Formim dhe Zhvillim po zbaton që nga dhjetori 2021 për të monitoruar 20 raste të miturish të këtij kontigjenti në dy bashkitë fqinje, atë të Tiranës dhe Kamzës. Eshtë interesant fakti që këta të mitur, problematikat e tyre dhe të familjarëve të tyre në rolin e kujdestarëve ligjor, shihen dhe monitorohen në këtë projekt në këndvështrimin e të drejtave të tyre si qytetarë të njësive administrative ku jetojnë, të drejta të njohura nga një korpus ligjesh, të cilat pushteti vendor e ka detyrim organik t’i përmbushë!

Po aq interesant më duket edhe fakti se në këtë monitorim, jo vetëm të shërbimeve vendore, jemi futur edhe ne si media! Në kuptimin për të “parë veten” ose për të bërë “mea culpa”: pra, sa vend zënë në media këta të mitur? A flasim ne për ta? A duhen “harruar” ata në hallin e fatkeqësinë e tyre? Mosha e mitur, hallet që në vogëli, rreziku i padiskutueshëm që “çamarrokllëku” i tyre të përdoret nga kriminelë që i shfrytëzojnë fëmijët; e të tjerë argumente të forta si këto, duhet të na bëjnë ne si aktorë të medias, të mos i shohim thjesht si raste, si histori personale, por si shembuj që edhe një po të ndihmojmë dhe shpëtojmë nga rreziku i recidivizmit, kemi fituar një njeri, shumë njerëz, një brez i cili ka nevojë të mos bëhet pasqyra e problematikave pa zgjidhje.

Si ishte atje? … në Institutin e të Miturve Kavajë

Veli. U. 16 vjeç: “Qëndrimi në burgun e Kavajës?

Kishte të mirat dhe të këqiat e veta.

Kam lexuar shumë libra gjatë kësaj kohe që jashtë nuk do i lexoja kurrë. Kam marrë pjesë si aktor protagonist në shumë pjesë teatrale me mesazhe të ndryshme kundër dhunës, drogës e më duket sikur kam zbuluar një talent që s’e dija. Kam mësuar të njoh njerëzit e vërtetë dhe njerëzit fallso. Ajo kohë më ka shërbyer që të mendoj më shumë, të mos jem tërë kohës në lëvizje. Koha në burg më ka bërë të pendohem për shumë gabime të së kaluarës. Nga njerëzit e afërt ose të largët kam parë edhe kush ka ardhur që të më takojë në burg, kjo për mua domethënë kush vërtet të do e kush jo. Ah, po, edhe falesha. Kishim një dhomë që ne i thonim xhami, ishte brenda burgut. Edhe Kishë kishte. Kam marrë disa çertifikata kursesh dhe kam zbuluar se jam sipas profesorit talent në punimin e drurit. Atje kam bërë karrige për kopshtet e fëmijëve të Durrësit….

Të këqijat? Po ja…

nuk lejohej telefoni, interneti. Do s’do, të duhet të rrish me njerëz që nuk të pëlqejnë, madje edhe do t’i respektosh. Atje nuk je i lirë edhe për gjëra të vogla që njeriu do… pavarësinë dhe lirinë e tij.

Familjen e kam munduar shumë me gjithë këtë që na ndodhi.”

Monitorimi i veprimtarisë së pushtetit vendor dhe mediatizimi i problematikave me të cilat ndeshen të miturit në konflikt me ligjin duhet të shndërrohet në një linjë qëndrimi nga media, në radhë të parë për peshën e saj si aktore e fuqishme në informim dhe ndikimin që ka tek publiku dhe të zgjedhurit, sepse këta të mitur nuk duhet ta kujtojnë burgun si vendin dhe kohën kur bënë të vetmet gjëra të bukura për të cilat i merr malli: teatër, sporte, mësuan zanate… ata duhet t’i bëjnë të njëjtat gjëra edhe jashtë, në liri. Ata e kanë të nevojshme, po aq sa bashkëmoshatarët e tyre, të shijojnë fëmijërinë ndërsa projektohen për të ardhmen.

Kjo iniciativë e CFD, e mbështetur nga një donator strategjik si Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim SDC përmes projektit të saj LëvizAlbania, vërteton edhe njëherë se demokratizimi i pushtetit vendor, si mision bëhet realitet vetëm atëhere kur qytetari merr atë çka i takon dhe ajo çka merr se i takon me ligj i ndryshon jetën për mirë… domethëne se ia kemi dalë!