Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, thotë në intervistë për DW, se kërkesat e miratuara nga Bundestagu për Shqipërinë nuk janë kushte.

“Bundestagu Gjerman nuk mund të formulojë kushte. Kushtëzimi vjen nga Komisioni i BE-së pas konsultimit me të gjitha shtetet anëtare. Dhe nuk mund të ketë rregulla speciale. Por, nga këndvështrimi i Bundestag-ut janë me rëndësi si kompletimi me numrin e duhur të gjyqtarëve i gjykatave më të larta, ashtu edhe ligji i ri zgjedhor”.

Roth veçon reformën zgjedhore për të cilën thotë se kanë përgjegjësi të dyja palët duke apeluar që opozita të mos bëhet bllokadë.

“Reforma zgjedhore ka kohë që është në diskutim. Këtu  ka përgjegjësi jo vetëm qeveria, por, natyrisht, edhe opozita. Dhe opozita tani duhet të hapet dhe të ketë një qëndrim konstruktiv. Ajo nuk duhet të vërë bllokada. Mund të shpresoj vetëm se përkundër klimës shumë të helmuar dhe të polarizuar në Shqipëri, të gjitha partitë, përfshirë edhe opozitën, tani do të jenë të gatshme të marrin një qëndrim konstruktiv. Ne kemi nevojë për një proces gjithëpërfshirës, kemi nevojë për kompromise, në mënyrë që projekti i anëtarësimit në BE të mos dështojë”.

Ministri gjerman thotë se tashmë Gjermania është shprehur qartë për çeljen e bisedimeve të anëtarësimit për Shqipërinë ndërsa pranon skepticizmin e disa vendeve si Franca.

“Shumë vende anëtare të Bashkimit Evropian janë të zhgënjyera. Nuk po ecet përpara, as në aspektin social e as në aspektin ekonomik. Sukseset sociale dhe ekonomike mungojnë. Herë pas here ka ende mungesë të kulturës demokratike”.

Roth është optimist për një vendim pozitiv në Këshillin Europian që mblidhet në 17 Tetor, ndërsa thotë se për Shqipërinë nuk do të ketë një procedurë pranimi të klasit të dytë.

Veritas.com.al/