Nga: Gjergj Erebara/ BIRN

Një studim i ri zbulon se media në Shqipëri është përqendruar në duart e pak pronarëve – duke minuar në këtë mënyrë pluralizmin në treg.

Ndërsa skena mediatike në Shqipëri është përshkruar shpesh si e tillë që ka shumë probleme – prania e shumë mediave në treg është mikpritur si një garanci për larmishmëri këndvështrimesh.

Gjithsesi, një raport i ri mbi pronësinë e medias dhe pluralizmit, publikuar këtë javë në Tiranë nga ‘Reporterët Pa Kufi’ dhe nga BIRN Albania, tregon se perceptimi për një treg vibrant dhe të larmishëm është më shumë iluzion se sa realitet.

“Pas dekadash tranzicioni… panorama e medias duket se po rrëshqet larg nga rruga drejt pavarësisë, pluralizmit dhe qëndrueshmërisë”, komentoi Olaf Steenfadt, drejtori i projektit global të RSF Monitori i Pronësisë së Medias.

Monitori i Pronësisë së Medias është pjesë e një projekti më të gjerë të Reporter ohne Grenzen, seksionit gjerman të organizatës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut Reporterë pa Kufi.

Projekti synon të rrisë transparencën mbi pronësinë e medias në vende të ndryshme të botës si dhe të rrisë ndërgjegjësimin për nevojën për pluralizëm mediatik si një mjet i domosdoshëm për një demokraci të shëndetshme.

Raporti si dhe të dhënat janë të disponueshme në internet dhe zbulojnë se katër pronarët e mëdhenj kontrollojnë gjysmën e audiencës në tregun e televizionit në vend si dhe 85% të të ardhurave nga televizionet pa pagesë.

Tregu i shtypit në Shqipëri është gërryer përgjatë viteve të fundit nga rënia e të ardhurave dhe qarkullimit.

Në këtë fushë, një pronar kontrollon 54 për qind të të ardhurave dhe më shumë se 30 për qind të audiencës përmes dy gazetave të përditshme.

“Pavarësisht se shumë media sugjerojnë një larmishmëri sasiore të ofertës, të dhënat financiare tregojnë se pjesa më e madhe e të ardhurave është e përqendruar në një numër të vogël grupesh mediash nën pronësi familjare,” thotë raporti.

Rrëzimi i mitit të medias pluraliste në Shqipëri

“Miti se, pavarësisht problemeve, media në Shqipëri prezanton pluralizëm këndvështrimesh, është rrëzuar. Një grusht familjesh arrijnë më shumë se gjysmën e audiencës dhe kanë 90 për qind të të ardhurave në tregun tonë të medias,” tha Kristina Voko, drejtore ekzekutive e BIRN Albania.

Gjithsesi, kryetar i Autoritetit të Medias Audio-Vizive, Gentian Sala, i cili ishte i pranishëm në publikimin e raportit, theksoi se matjet e audiencës në Shqipëri janë të dobëta.

Ai theksoi gjithashtu se nuk ka pengesa për aktorë të rinj që mund të duan të hyjnë në treg.

“Problemi në median shqiptare është se ne kemi pronarë të fortë dhe biznese të dobëta,” tha Sala duke iu referuar kulturës së përgjithshme të biznesit në Shqipëri.

“Një pjesë e madhe e spektrit është aktualisht e lirë për çdokënd që dëshiron të hyjë tregun e televizioneve,” shtoi ai.

Dy kompani kërkimore ofrojnë matje të audiencës në Shqipëri, por matjet e tyre japin rezultate shumë të ndryshme dhe ato janë të kundërshtuara sa i përket cilësisë si nga ekspertët ashtu edhe nga pronarët e mediave.

Por matjet e audiencës nuk janë faktorët e vetëm që tregojnë nivelet e larta të përqendrimit në media.

Analiza të raporteve financiare të tetë kompanive të televizioneve pa pagesë dhe dy platformave me pagesë tregojnë se kompanitë e mëdha dominojnë gjithashtu tregun për sa i përket të ardhurave.

Shqiptarët shpenzuan rreth 100 milionë euro për media gjatë vitit 2016. Rreth 50 milionë ishin të ardhurat e dy platformave me pagesë. Rreth 18 milionë të tjera ishin shpenzimet e transmetuesit publik.

Rreth 32 milionë euro u mblodhën nga televizionet pa pagesë, të fituara më së shumti përmes reklamave.

Nga të tetë kompanitë që operojnë në tregun e televizioneve pa pagesë, dy më të mëdhatë, Tom Channel dhe TV Klan, kishin 67 për qind të të ardhurave.

Veritas.com.al/