
Ish-ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, James Rubin ka treguar se kishte qëndruar për disa ditë në Kosovë në qershor të vitit 1999, ku çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin. Ai gjatë dëshmisë së tij në Dhomat e Specializuara në Hagë, tha se ish-sekretarja e Shtetit, Madeliene Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë.
James Rubin, i cili gjatë luftës në Kosovë ishte ndihmëssekretar amerikan i Shtetit, është dëshmitar i parë i mbrojtjes, përcjell A2 CNN. Dëshmia e tij është në mbrojtje të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai në gjykatore është i shoqëruar nga dy përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Diplomati amerikan tha se ishte kthyer në Kosovë në qershor të vitit 1999, për të marrë pjesë në “negociatat që kishin të bëjnë me de-militarizimin e UÇK-së”. Para trupit gjykues, ai tha se ishte ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright i kishte thënë që të shkonte në Kosovë, duke i thënë që “ndalo së bëri çdo gjë që ti po bën”.
“Unë isha zëdhënësi i zonjës Albright. Po punoja për çështjet e Kinës dhe Rusisë, dhe ajo më tha ‘ndalo së bëri çdo gjë që t’i po bën dhe duhet të shkosh në Kosovë, duhet të shkosh atje në mënyrë të tillë që të ndihmoni Mike Jackson që të realizojë betimet e veta dhe po ashtu sigurohu që Hashim Thaçi të nënshkruajë marrëveshjen. Kjo është arsyeja pse shkova në rajon”, tha ai.
Ish-zyrtari i lartë amerikan, James Rubin tregoi se gjatë asaj periudhe kishte qëndruar në një hotel në Shkup dhe se çdo mëngjes dërgohej në male për t’u takuar me Hashim Thaçin. “Nuk më kujtohet saktësisht, por mbase tri ose katër ditë. Nuk kam qëndruar në Kosovë në fakt, kam qëndruar në një hotel në Shkup, në Maqedoni dhe çdo mëngjes dërgohesha përmes mjeteve të posaçme në male për t’u takuar me Hashim Thaçin dhe komandantët faktikë të UÇK-së. Pra, çdo ditë më çonin dhe më merrnin nga aty. Ka qenë diku fundi i qershorit të vitit 1999”, shtoi ai.
Gjatë dëshmisë së tij gjatë ditës së sotme, James Rubin ka treguar para trupit gjykues se gjatë periudhës 1997-2000 ka shërbyer si ndihmëssekretar i Shtetit për çështjet publike dhe si zëdhënësi kryesor që ka raportuar drejtpërsëdrejti përpara sekretares së shtetit, Madeleine Albright.
Gjatë angazhimit për konferencën e Rambujesë, Rubin ka thënë se është takuar disa herë me Thaçin, për të cilin tha se “ishte i shqetësuar që nuk do ta kishte autoritetin ose lejen e plotë për ta nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë”./KosovaPress/
Komente