Sekretari amerikan i Shtetit, Marko Rubio ka thënë se veprimet e presidentit të Republikës Sërpska (RS), Millorad Dodik, përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin e Bosnje e Hercegovinës, si dhe i minojnë institucionet shtetërore të saj.

“Qeveria jonë u bën thirrje liderëve politikë në Bosnje e Hercegovinë për t’u angazhuar në dialog konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne u bëjmë thirrje partnerëve tanë në rajon të bashkohen me ne për ta kundërshtuar këtë sjellje të rrezikshme dhe përshkallëzuese”, shkroi Rubio në rrjetin social X .

Dodiku i dekretoi më 5 mars ligjet e miratuara nga Kuvendi i Republikës Sërpska , të cilat ndalojnë punën e Gjykatës, Prokurorisë, Agjencisë Shtetërore të Hetimeve (SIPA) si dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor e Prokurorial të Bosnjës në territorin e këtij entiteti.

Duke iu përgjigjur reagimit të Ambasadës amerikane në Sarajevë – e cila shprehu shqetësim për dekretimin e ligjeve jokushtetuese – Dodik pretendoi më 6 mars se administrata Trump nuk mban qëndrime të njëjta me administratën e kaluar Biden.