Kryeministri rumun, Sorin Grindeanu është rrëzuar nga pushteti nga vet partia e tij “PSD”, përmes një mocioni mosbesimi në Parlament.

Socialdemokratët e akuzojnë Grindeanun se nuk ka arritur të vërë në jetë reformat ekonomike, aq të nevojshme për vendin. Shefi i ekzekutivit ishte përfshirë në një betejë të ashpër për pushtet me udhëheqësin e partisë, Liviu Dragnea, i cili nuk e merr dot drejtimin e qeverisë pas një dënimi të mëparshëm për manipulim votash.

Grindeanu e humbi mocionin parlamentar me vetëm 8 vota. Pavarësisht krizës së krijuar, ai vetë kishte refuzuar të jepte dorëheqjen.  Vëzhguesit e pavarur mendojnë se përpjekjet e koalicionit për ta larguar Grindeanun, reflektojnë zemërimin brenda radhëve të tij mbi dështimin e përpjekjeve të politikanit 43-vjeçar për dekriminalizimin me dekret të akteve të korrupsionit.  Shkurtin e këtij viti, ai u dorëzua përballë protestave popullore dhe hoqi dorë nga dekreti, që do t’i kishte mbrojtur me dhjetëra politikanë nga ndjekja penale për korrupsion.

Veritas.com.al/