Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, pas një ataku kardiak, ka përfunduar në terapi intensive.

Gjendja e tij është e rëndë, ndërsa mjekët i kanë vendosur një pajisje të posaçme për të stabilizuar zonën e zemrës.

Nga ana tjetër, mësohet se rreth 20 gjeneralë rusë janë arrestuar.

Këtë e ka bërë të ditur figura publike ruso-izraelite, ish-bashkëpronar i kompanisë së naftës Yukos, Leonid Nevzlin.

Duke iu referuar burimeve të tij në Moskë, Nevzlin vuri në dukje se Shoigu pësoi një atak masiv në zemër dhe nuk dihet nëse mund të mbijetojë.

“Shoigu ka dalë nga loja, ai mund të mbetet i paralizuar nëse mbijeton. Ai papritmas pati një atak masiv në zemër dhe është në terapi intensive, i lidhur me pajisje. Ka zëra se ataku në zemër mund të mos ketë ardhur nga shkaqe natyrale”, tha ai.

(Miliarderi ruso-izraelit, Leonid Nevzlin)

Burimet e Nevzlin raportojnë gjithashtu arrestime masive në radhët e lidershipit të lartë ushtarak të shtetit pushtues. Të paktën 20 gjeneralë të shtabit u arrestuan – dyshohet se me akuzën e përvetësimit të fondeve nga ushtria, gjë që çoi në humbjen dërrmuese të trupave ruse në luftën kundër Ukrainës.

“U arrestuan 20 gjeneralë të Ministrisë së Mbrojtjes. Të gjithë oficerët e shtabit. Gjithçka është e qartë këtu – përvetësimi total i fondeve për përgatitjen e udhëheqjes ukrainase dhe popullsisë për mbledhjen solemne të ushtrisë së çlirimtarëve nga Rusia. Që nga viti 2014, rreth 10 miliardë dollarë të alokuara nga Putini për përgatitjen e Blitzkrieg janë vjedhur”, citon media ukrainase, “Ukranews” ish-zyrtarin.

“Ndaj Arkady Dvorkovich po përgatitet një çështje penale, ai pritet të dëshmojë kundër kolegëve dhe miqve të tij. Burimet e FSB-së thonë se nëse ai nuk bën një marrëveshje me prokurorine, do të transferohet në qendrën e paraburgimit Matrosskaya Tishina ose Lefortovo. Surkov është në arrest shtëpiak, dyshohet se ka vjedhur paratë e ndara për përgatitjet e luftës, ky është rasti i njëjtë me të cilin janë arrestuar edhe 20 gjeneralët e tjerë”, ka shkruar Nevzlin.

Siç raportoi Agjencia e Lajmeve të Ukrainës, ish-deputeti i Dumës Shtetërore të Federatës Ruse, Ilya Ponomarev, njoftoi ndalimin e ish-këshilltarit të presidentit të Rusisë, Vladislav Surkov. Ai është akuzuar në rastin e përvetësimit në Donbas që nga viti 2014.

Më 23 mars, mediat raportuan zhdukjen e ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, nga hapësira publike. Më vonë, Shoigu u shfaq në një takim të heshtur me Putinin.

/Albanianpost.com