Pamjet tronditëse me dron që tregojnë një makinë klasike “Lada” të mbushur me eksplozivë, të stacionuar mbi digën Kakhovka, janë shpallur si provë që shpërthimi i saj është realizuar nga Rusia.
Shpërthimi i digës Kakhovka më 6 qershor lëshoi 4.8 miliardë litra ujë në Ukrainën jugore, duke shkatërruar qytete të tëra dhe duke i marrë jetën dhjetëra civilëve.

Pamjet janë filmuar më 28 maj dhe janë publikuar nga AP. Agjencia i referohet burimeve ushtarake ukrainase, ndërsa fotot tregojnë makinën “Lada” me çatinë e saj të prerë që ekspozon një fuçi gjigante eksplozivi brenda saj, si dhe zyrtarë rusë të vendosur shumë afër pikës në të cilën shpërtheu diga e epokës sovjetike.

Fotot e publikuara shtojnë numrin e dëshmive se Rusia kishte mjetet, motivin dhe mundësinë për të hedhur në erë digën.

Forcat speciale ukrainase mendojnë se makina bombë, e cila në vetvete nuk mjafton për të rrëzuar digën, është përdorur për të përforcuar shpërthimin më të madh të planifikuar nga brenda.

Në rajonin që rrethon digën, lumi Dnieper formon vijën e frontit midis forcave ruse dhe ukrainase, me rusët në kontroll të vetë digës.