Zyrtarët e ushtrisë ruse deklaruan se disa nga trupat e tyre pritet të kthehen në bazë.
Kjo, pasi një numër stërvitjesh ushtarake me Bjellorusinë kanë përfunduar.
Moska zyrtare ka grumbulluar mbi 130 mijë trupa pranë kufijve ukrainas.
Disa trupa në rrethet ushtarake të Rusisë ngjitur me Ukrainën po kthehen në baza pas përfundimit të stërvitjeve.
Të paktën, këtë citon njoftimi i Ministrisë ruse së Mbrojtjes.
Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” nënvizoi qëndrimin zyrtar të ministrisë se stërvitjet vazhdojnë ende në shkallë të gjerë në të gjithë vendin.
Pra, janë vetëm disa njësi të distrikteve ushtarake jugore dhe perëndimore, të cilat kanë përfunduar stërvitjet e tyre dhe kanë filluar të kthehen në baza.
Rusia ka nxitur frikën e një pushtimi të mundshëm, veçanërisht pas stërvitjeve të përbashkëta të Moskës me Bjellorusinë.
Më herët, ishte kryediplomati rus Sergei Lavrov, i cili këshilloi presidentin rus Vladimir Putin që të vijojë bisedimet me Perëndimin.
Kjo, lidhur me kërkesat e sigurisë së Moskës.
Kremlin-i kërkon garanci nga Perëndimi se NATO nuk do të lejojë Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike të bashkohen si anëtarë.
Ndër të tjera, aleanca duhet të ndalojë dislokimet e armëve në Ukrainë dhe të tërheqë forcat e saj nga Evropa Lindore.
Këto kërkesa janë refuzuar kategorikisht nga Perëndimi.