Imunizimi kundër difterisë, tetanozit dhe pertusisit tek fëmijët nën moshën 1 vjeç, e rendit Shqipërinë të dytën në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, me 98% të foshnjave, të cilat i kanë marrë të tre dozat e vaksinave, njohur edhe si (DTP3).

Një rritje e krahasueshme, kur në vitin 2019, përpara fillimit të pandemisë COVID-19, shifrat e tregonin Shqipërinë vetëm në nivelin e 85% të vaksinimit.

I vetmi shtet që e lë pas vendin, është Greqia, e cila vaksinimin DTP3 e ka në masën e 99% të fëmijëve.

 Vendet e rajonit ndërkohë, radhiten ndjeshëm më poshtë, ku Serbia e ka vaksinimin e fëmijëve në nivelin e 92%, Mali i Zi në 83%, Maqedonia e Veriut në 81% dhe Bosnjë dhe Hercegovina në 73%.Teksa, Shqipëria, radhitet edhe sipër mesatares së përgjithshme për Evropën dhe Azinë Qendrore, e cila shkon në 93% të vaksinimit tërësor të fëmijëve.

Në renditje pas lihen edhe vende të Bashkimit Evropian, siç është Kroacia, e cila në vitin 2021 arriti në 92% apo Bullgaria, në 89% dhe Rumania në 86%.

Në ndjekjen e gjithë rrjedhës historike sa i përket Shqipërisë, vaksinimi i fëmijëve ka ardhur gradual, ku në vitin 1980, ai ka qenë në shifrat e 20%.

Më pas, me hyrjen e demokracisë në vend, në vitet 1990, ai shkoi në 75%, në vitin 2010 kapi shifrat e 84% dhe në vitin 2019 në 85%.

Rritja e madhe kësisoj, duke e çuar në 98% vaksinimin, sipas të dhënave nga UNICEF, ka të bëjë edhe me një fushatë më të gjerë të vaksinimit, por edhe të informimit të vetë prindërve.

Vaksinat DTP3 janë të cilësuara si të detyrueshme për zhvillimin e fëmijëve, për të ndihmuar kështu edhe në imunizimin e popullatave nga sëmundje që sot cilësohen si të lehta.

Sipas një studimi të kryer pas pandemisë COVID-19, ka rezultuar se personat, të cilët i kanë plotësuar tre vaksinat DTP3, kanë pasur problematika më të pakta nëse janë infektuar nga coronavirusi dhe e kanë kaluar atë me simptomatika më të lehta.

/