Nga Beata Stur – New Europe/

27 Mars 2017/

Legjislacioni kontradiktor i verifikimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve për korrupsion të mundshëm ka ndezur debate e grindje në Shqipëri. Ndërsa qeveria thotë se vettingu do të hapë rrugën e Shqipërisë për bisedimet e anëtarësimit me Bashkimin Evropian, opozita paralajmëron se rregullat e reja do të përdoren nga qeveritarët për të ndikuar në emërimin e njerëzve të drejtësisë.

Opozita ka paralajmëruar edhe se Reforma në Drejtësi mund të shërbejë për kontrollin e sistemit gjyqësor në vend që ta bëjë atë të pavarur në luftën kundër krimit dhe t’i japë fund mosndëshkimit të politikanëve.

Sipas agjencisë Reuters, Bashkimi Evropian dhe SHBA ndihmuan në hartimin e Reformës në Drejtësi, e cila, sipas një sondazhi, shihet si e korruptuar nga 91 për qind e shqiptarëve.

Por opozita akuzon kryeministrin Edi Rama dhe qeverinë e tij se po aplikon mjete e metoda jo-kushtetuese për imponimin e Reformës në Drejtësi në mënyrë të tillë që do t’i japë kontroll të plotë mbi të gjithë sistemin.

Zhvillimet më të fundit në sagën e vettingut ishin në janar, kur ministri i atëhershëm i drejtësisë, Ylli Manjani (nga LSI) u shkarkua pasi foli për lidhje midis zyrtarëve të ministrisë së brendshme, policisë dhe trafikantëve të drogës (jo shumë befasisht, edhe ministri i brendshëm Saimir Tahiri, PS, u shkarkua dy javë më parë).

Për momentin, aplikimi i Reformës në Drejtësi, e cila filloi më 2010, duket jashtëzakonisht i rrëmujshëm.

Opozita fajëson qeverinë për injorim të propozimeve të saj dhe për mospërfshirje në procesin e hartimit. Meqenëse ekspertët e opozitës nuk u thirrën asnjëherë në takimet me Grupin e Ekspertëve – ndonëse qeveria kishte bërë të ditur se do t’i thërriste – ata përgatitën sugjerimet dhe rekomandimet e tyre për Reformën.

Në 2015, Partia Demokratike paraqiti një dokument me 278 faqe, i cili përmbante mbi 300 rekomandime. Kritikët e qeverisë thanë se ky dokument nuk u mor kurrë në konsideratë. Në vend të kësaj, qeveria hartoi rregullat e saj.

Qeveria këmbënguli se drafti i saj, ashtu siç ishte, pa ndryshime, do t’i dërgohej Komisionit të Venecias, ku opozita mund të dërgonte direkt vërejtjet e saj. Me qëllim mosbllokimin e procesit, opozita votoi pro dërgimit në Venecia të draftit të njëanshëm, përgatitur nga qeveria, duke i bashkëngjitur rekomandimet e saj.

Komisioni i Venecias e hodhi poshtë draftin e qeverisë. Kjo e fundit bëri korrigjime dhe ia dërgoi versionin e ri Komisionit më 2016. Edhe opozita bëri të njëjtën gjë me komentet e saj.

Në mars 2016, Komisioni i Venecias nxori opinion përfundimtar, ku modeli i listave alternative (të ashtuquajturat vende rezervë) nga opozita dhe qeveria ishte një nga sugjerimet për emërimet në sistemin e drejtësisë. Opozita i pranoi sugjerimet e Komisionit të Venecias.

Në prill 2016, opozita u sigurua nga partnerët ndërkombëtarë se drafti i amendamenteve kushtetues dhe paketa e shtatë ligjeve kryesorë të implementimit do të miratohej me konsensus midis partive. Kjo u duk se e shoi grindjen politike. Por qeveria përsëri tentoi të impononte pikëpamjen e saj mbi Reformën, emërimet në institucionet e reja të sistemit gjyqësor dhe vettingun e gjyqtarëve e prokurorëve. Vetëm pas ndërhyrjes së Victoria Nuland, në atë kohë ndihmës-sekretare e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike, dhe Komisionerit të BE Johannes Hahn, si dhe të disa presioneve të brendshme në koalicionin qeveritar, u arrit marrëveshja për Reformën në Drejtësi, e cila u miratua unanimisht në korrik 2016.

Që atëherë, duket se qeveria po bën gjithçka për të dekurajuar opozitën nga diskutimi dhe pjesëmarrja në implementimin e reformës, duke adoptuar ligje implementimi për të cilët nuk është rënë dakord më parë. Një nga këto ligje u deklarua si jokushtetues kohët e fundit nga Gjykata Kushtetuese.

Ndërkohë, një tjetër grindje ka shpërthyer për bordin e menaxhimit të Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, çka shtyu ministrin e ri të drejtësisë (nga LSI) të bënte thirrje për reflektim, me qëllim kthimin “në rrugën e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së kësaj çështjeje”.

Në këtë kontekst, BE duket se i ka dhënë përkrahje të plotë kryeministrit Edi Rama, por kjo përkrahje është në pikëpyetje sidomos për sa u përket konflikteve dhe krizës politike në këtë kontekst të veçantë elektoral në Shqipëri.

Për më tepër, Reforma në Drejtësi që nuk gëzon konsensusin e plotë për ligjet e implementimit ka shumë gjasa të dështojë në zgjidhjen e problemeve ekzistues. Këto reforma mund t’i institucionalizojnë problemet, duke i dhënë Ramës mundësinë ta shtrijë pushtetin e tij mbi gjyqësorin. Dhe kjo është në kontradiktë me parimet themelore të demokracisë dhe ndarjes së pushteteve.

I habitshëm është fakti që BE, i cili mbron këto vlera, ka pranuar që disa segmente brenda institucioneve të tij ta përkrahin këtë skemë.

/Veritas.com.al/