Mbahet sot Samiti i liderëve të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor në Bruksel. Ky Samit vjen një vit pas Samitit të mbajtur në Tiranë.
Pjesë e këtij takimi do të jetë edhe kryeministri Edi Rama. Në fokus mbeten partneriteti strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Temat kryesore të diskutimit në këtë samit do të jenë:
Thellimi i angazhimit politik dhe ekonomik me Ballkanin Perëndimor
Afrimi i partnerëve të Ballkanit Perëndimor me BE-në dhe avancimi i integrimit gradual
Ndërtimi i bazave ekonomike për të ardhmen dhe zbutja e ndikimit të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës
Përforcimi i sigurisë dhe ndërtimi i qëndrueshmërisë
Liderët pritet të lëshojnë një deklaratë në fund të samitit.
Bashkimi Evropian synon të sjellë Ballkanin Perëndimor më afër BE-së , duke përgatitur terrenin për anëtarësim dhe duke sjellë përfitime konkrete për qytetarët e tyre gjatë procesit të zgjerimit.
Gjithashtu Samiti do të jetë një mundësi për të diskutuar veprimet e koordinuara në lidhje me çështjet e sigurisë, të cilat janë bërë edhe më të rëndësishme në kontekstin e agresionit rus kundër Ukrainës. Kjo përfshin luftimin e manipulimit të informacionit të huaj dhe rritjen e sigurisë kolektive kibernetike.
Samiti i fundit mes liderëve të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor u zhvillua në Tiranë në dhjetor 2022 dhe ishte samiti i parë i zhvilluar në rajonin e Ballkanit Perëndimor .