
TIRANË- Liderët e 47 vendeve dhe organizatave evropiane mblidhen të premten për një samit njëditor në kryeqytetin e Shqipërisë, për të diskutuar sfidat e sigurisë dhe mbrojtjes në të gjithë kontinentin, me agresionin e plotë të Rusisë ndaj Ukrainës në krye të agjendës.
Vendet e Ballkanit Perëndimor shpresojnë se në Samitin e Komunitetit Politik Evropian do të bisedohet edhe për zgjerimin e Bashkimit Evropian.
Në këtë Samit, i cili mban moton: “Evropa e re në një botë të re: unitet – bashkëpunim – veprim i përbashkët”, do të diskutohet edhe për mënyrat për ta përmirësuar konkurrueshmërinë e kontinentit dhe për të përballuar emigracionin e paautorizuar.
Zhvillimet minutë pas minute:
11:50- Në kuadër të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, President i Ukrainës, Volodymyr Zelensky ka mbërritur në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranë. Ai u prit nga kryeministri Edi Rama.
Ora 11:40- Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka mbërritur në kryeqytetin e Shqipërisë, në kuadër të takimit për Samitin e Komunitetit Politik Evropian.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mbërritur në Samitin në Tiranë, “në Shtëpinë e Europës”, ku bëhen bashkë 47 liderë të botës. Meloni dha një intervistë të shkurtër për gazetarët , ndërsa u ndal tek lufta në Ukrainë. Ajo theksoi se duhet të vazhdojë këmbëngulja për arritjen e një armëpushimi të pakushtëzuar. “Duhet të këmbëngulim për një armëpushim të pakushtëzuar dhe për një marrëveshje armëpushimi”, tha ajo.
E pyetur për emigrantët dhe marrëveshjen me Shqipërinë, Meloni ritheksoi se puna vazhdon dhe se sipas saj kjo dëshmon që po shkon në rrugën e duhur.
“Puna po vazhdon dhe kjo tregon edhe shpejtësinë e funksionimit duke dëshmuar se jemi në rrugën e duhur”, shtoi ajo.
Në pritjen liderëve që marrin pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian, kryeministri Edi Rama zgjidhi një mënyrë krejt të veçantë për të pritur “motrën” e tij italiane, kryeministren Giorgia Meloni.
Sapo kryeministrja italiane zbriti nga makina, kryeministri Rama u ul në gjunjë si në shenjë respekti dhe që tregon raportin e ngushtë mes dy liderëve. Në këtë moment të veçantë nuk munguan as batuat.
“E bën që të jetë i gjatë sa unë”, tha Giorgia Meloni.
11:26- Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, ka mbërritur në Tiranë. Ajo u prit me dashamirësi të madhe nga kryeministri Rama, i cili tregoi dhe një gjest mirësjelljeje ndaj saj duke larguar çadrën dhe duke u ulur në gjunjë.
Duke folur në Tiranë, në kuadër të Samitit të komunitetit Europian, kryeministri britanik Keir Starmer u shpreh se Putin nuk është serioz në për paqen, në luftën në Ukrainë. Duke folur për mediat në Tiranë, Starmer tha se sot është mundësia jonë të tregojmë se jemi të bashkuar.
“Putin nuk është serioz për paqen. Do të punojmë edhe sot për të qenë të qartë që duhet të ketë një armëpushim. Është provë e qartë se Putin nuk e do paqen. Sot është mundësia jonë të tregojmë se jemi të bashkuar. Zelensky do të jetë sot këtu.” u shpreh Starmer.
11:00- Presidetja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë, në kuadër të punimeve të Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Ajo u prit nga kryeministri Rama, në një takim shumë të përzemërt.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani në mbërritjen në Tiranë për Samitin e Komunitetit Politik Europian foli para gazetarëve për anëtarësimin e Kosovës në BE. Sipas presidentes Osmani politikat e jashtme të Kosovës anë në një linjë me ato të BE-së, prandaj dhe shtetet Europiane marrë shkas nga ky samit duhet të ndërmarrin veprime konkrete për anëtarësimin e Kosovës në BE.
Vjosa Osmani u ndal shkurtimisht edhe te dialogu Kosovë-Serbi, ku tha se fillimisht BE duhet heqë masat, pasi në jetë mënyrë dëmtohet dhe vetë kredibiliteti i Bashkimit Europian.
“Më me rëndësi se sa bisedimet ME Serbinë, janë ato të Kosovës me Bashkimin Europian. Kosova ka aplikuar për anëtarësimin në BE që para 2 viteve, por për fat të keq akoma nuk kemi një gjë konkrete, për shkak të disa komunikimeve të panevojshme politike që krijohen nga disa shtete anëtare. Meqë ky është Samiti i gjashtë i Komunitetit Ekonomik Europian, ka ardhur koha që përtej fjalëve të bukura për anëtarësim të ketë dhe veprime konkrete, për arsye se ky samit po ashtu mbahet në Ballkanin Perëndimor është shumë me rëndësi që të kemi rezultate konkrete për shtete si Kosova e cila është 100% në linjë të plotë me qëndrimet e Bashkimit Europian për politikën e jashtme. Sa i përket dialogu Kosovë-Serbi duhet të flasim pikë së pari për heqjen e masave nga Bashkimi Europian sepse kjo dëmton vetë kredibilitetin e Bashkimit Europian”, tha Vjosa Osmani.
Ora 10:44- Vuçiç nga Moska në Tiranë, a do e takojë Osmanin? Ja si përgjigjet Presidenti i Serbisë
Nga Moska ku mori pjesë në paradën ushtarake, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç u prit në Tiranë nga kryeministri Edi Rama, në kuadër të Samiti të BE.
Pyetjes së mediave nëse do të ketë një takim me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, Vuçiç anashkaloi duke u shprehur se në Tiranë është bukur dhe se ndodhet këtu për të marrë pjesë në Samitin e BE.
Vuçiç tha se në Tiranë ndihej krenar që përfaqësonte qëndrimet dhe interesat e Serbisë si një vend evropian i lirë dhe një partner i përgjegjshëm për të gjithë ata që ndajnë vizionin e një Evrope paqësore, të sigurt dhe të begatë, “shtëpinë tonë të përbashkët”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka mbërritur në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Evropian. Ai theksoi se çdo pjesë e territorit ukrainas duhet të mbetet aty, ndërsa komentoi dhe delegacionin që ka dërguar Rusia për negociata e paqes me Ukrainën në Stamboll.
“Çdo pjesë e territorit ukrainas duhet të jetë aty. Putin bëri gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët, në fakt topi është në fushën e tij, në kuptimin që duhet të luajë, në kuptimin që duhet të jetë serioz për të gjetur paqe dhe gjithë trysnia është mbi të. Bëri shumë gabim që dërgoi një delegacion të nivelit të ulët, është një gjë shumë e mirë që ukrainasit kanë ardhur në tryeze dhe kanë dërguar një delegacion mjaft të pritur për të negociuar paqe. Jam shumë i lumtur me rolin që po luan SHBA dhe rolin që ka marrë presidentin Trump për të zhbllokuar gjithë këtë situatë”, tha ai.
Komente