Policia e Shtetit garanton të drejtën për të protestuar edhe më 6 dhjetor kur do të zhvillohet samiti BE-Ballkani Perëndimor, por garantimi i sigurisë do të jetë prioritar mbi preferencat (kapriçot) për vendin se ku do të zhvillohet protesta nga ana e organizatorëve, Rithemilimit të Sali Berishës.

Ka qenë drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Muhamet Rrumbullaku, ai i cili pas takimit me ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi, doli në një konferencë për mediat për të folur për mbarëvajtjen e Samitit BE-Ballkani Perëndimor që do të zhvillohet në Tiranë më 6 dhjetor.

Policia e Shtetit nuk ka patur dhe nuk do të ketë asnjë prirje për të ndaluar apo spostuar asnjë protestë, por në këtë rast, siguria e 32 delegacioneve shtetërore me liderët e tyre nga BE dhe Ballkani Perëndimor, e delegacionit të Presidentit të Këshillit, e Presidentes së Komisionit dhe e të gjithë personaliteteve VIP të kategorisë së autoriteteve të larta shtetërore, na imponon që të vëmë sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare mbi dëshirën gjeografike për të protestuar. Policia e Shtetit nuk e ndalon absolutisht protestën e lajmëruar, por garanton mbarëvajtjen e saj jashtë perimetrit të sigurisë, pasi Perimetri i Sigurisë është i pacënueshëm dhe i aksesueshëm vetëm nga pjesëmarrësit në Samit dhe nga gazetarët e akredituar.  Ne kemi besim se arsyeja do të fitojë mbi emocionet e kujtdo dhe jemi të përgatitur për çdo rast kur do të ndodhë e kundërta”, tha Rrumbullaku.

Ai tha se olicia ka parë dhe vlerësuar edhe kërkesën për zhvillimin e protestës, për të cilën kemi kthyer një përgjigje ligjore, profesionale në interes të samitit, që është një ngjarje historike, e para në këto 30 vite.

“Edhe në respekt të drejtës për të protestuar kam thirrur organizatorët dhe i kemi sqaruar për detyrimet tona për garantimin e protestës në çdo vend tjetër përveçse në perimetrin e sigurisë. Do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve që për shkak të masave të sigurisë që do të marrim të na mirëkuptojnë se edhe ky samit është në interes të të gjithë shqiptarëve.”, tha ai.

Kreu i policisë së Shtetit tha se zhvillimi i Samitit të Bashkimit Europian, në Tiranë, tregon më së miri se Shqipëria është vend i sigurt dhe demokratik dhe sipas tij uniformat blu janë të angazhuara me maksimumin e kapaciteteve njerëzore dhe logjistike, për mbarëvajtjen e tij.

“Për të garantuar rendin dhe sigurinë, në rrugëkalimet e delegacioneve dhe në vendin ku do zhvillohet Samiti, Policia e Shtetit ka hartuar një plan të detajuar masash, duke  bashkëpunuar me agjencitë ligjzbatuese brenda vendit, me ekspertë të sigurisë së vendeve të BE-së, si dhe me organizatat ndërkombëtare INTERPOL dhe EUROPOL, për shkëmbimin në kohë të informacioneve. Nisur dhe nga përvoja e aktiviteteve shumë të rëndësishme të zhvilluara më parë, Policia e Shtetit ka fituar përvojën e duhur dhe besojmë se edhe në këtë rast, Policia e Shtetit do të tregojë përkushtim dhe profesionalizëm, duke i bërë një shërbim të çmuar imazhit të vendit. Dua të siguroj nxënësit, punonjësit e institucioneve, banorët rezidentë brenda permitetrit të sigurisë, por dhe jashtë tij, se data 6 dhjetor është ditë normale mësimi, pune e aktiviteti të përditshëm, pavarësisht kufizimeve të lëvizjeve në disa akse rrugore, për të cilat Policia e Shtetit ka marrë masa për devijimin e lëvizjeve në rrugë alternative, me qëllim që të mos ketë pengesa për vijimin normal të aktiviteteve gjatë datës 6 dhjetor”, tha Muhamet Rrumbullaku.