Në ditën e fundit të Samit të Paqes për Evropën Juglindore që po mbahet në Tiranë, në vazhdën e sesioneve të ndryshme që po zhvillohen u diskutua për mediat në shekullin 21, sfidat dhe mundësitë e tyre.
Me këtë rast u tha se roli i mediave në shoqëri duhet të vazhdojë të jetë i rëndësishëm, të respektohet liria e shprehjes, por edhe mediat t’i shërbejnë më shumë popullit se sa elitave politike.
Në një panel prej personaliteteve të ndryshme botërore, gazetari dhe drejtori i Transparency Internacional në Shqipëri, Lutfi Dervishi duke folur për rolin e mediave në shoqëri, tha se në Shqipëri situata është e mirë për nga sasia, por jo për nga cilësia e mediave.
“Për sa i përket sasisë ne jemi mirë, por sa i përket cilësisë situata është jo e mirë. Jemi mirë sepse ju kur shihni ekranet kudo në hotele dhe në qytetin shikoni shumë informacion, por nuk do të gjeni lajme. E kjo nuk është mirë. 1.8 milionë shqiptarë kanë llogari në Facebook. Duke konsideruar se popullata është 2.7 milionë, atëherë kjo është diçka e mirë. Por kur ne shkojmë pak më thellë kuptojmë qe kemi një fluks dhoma egoje dhe jo gjëra potenciale që duhen të diskutohen. Është mirë se kemi një kod të mirë etik, më të mirin dhe jo mirë se ai qëndron vetëm në letër dhe nuk zbatohet. Situata e mediave në Shqipëri është e mirë se mendojmë që është pushteti i katërt, por në realitet është më tepër pjesë e lojërave të pushtetit”, tha ai.
Ndërkaq, Thomas McDevitt, kryetar i The Washington Times në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, tha se janë të përkushtuar të ndërtojnë një strategji të madhe gjeopolitike në mënyrë që të arrijnë të ndikojnë në botë për qëllime të paqes.
“Shoqata ndërkombëtare e medias për paqen, është punë që ka filluar dhe është në zhvillim e sipër, ne jemi serioz për të ndërtuar një strategji të madhe gjeopolitike në mënyrë të ndikojmë në botë për qëllime të paqes. E dëgjuam dje Han Moon, është një përpjekje që ka një dekadë të tërë që diskutohet, shoh potencial të jashtëzakonshëm për të zgjidhur një problemet më kritike në tokë. Është një deklaratë thelbësore e thënies se vërtetës që vetëm përpjekjet njerëzore nuk e arrijnë, por duhet edhe ndërhyrja e perëndisë. Media është një fushë kritike dhe ajo ka shumë probleme, nuk do të hy në detaje, kam prezantim që flet për vlerësimet që janë kryer në lidhje me mungesën e besimit, lajmet e rreme, polarizimi i lajmeve, problem kritik është lajmi i personaliteteve dhe thirrja për t’u dhënë dëgjuesve të vërteten”, tha ai.
Ndërsa, ministrja e Reformës Administrative në Liban, ish gazetarja May Chidiac foli për rolin e rëndësishëm të mediave në shoqëri, teksa tha se liria e shprehjes nuk duhet të vdesë kurrë.
“Sot duhet të shohim rreth nesh për rolin e mediave në shekullin 21. Ne shohim kufizimin e lirisë së shprehjes kudo botës, secili prej nesh ka mendime dhe opinione të ndryshme për gjithë botën që të dëgjojë. Media Sociale ma ka dhënë hapësirën, kohen dhe durimin që jo vetëm të formojmë historinë, por edhe të ardhmen tonë. Media me të drejtë është përshkruar si krahu i demokracisë dhe ndërtues i komuniteteve. Dy shtylla të qëllimit dhe lirisë”, tha ajo.
E Predrag Vujoviq, themelues i shkollës për marrëdhënie publike dhe komunikim në Serbi, tha se më parë ka pasur agjenci lajmesh të medias masive, ndërkohë që tani janë zhvendosur drejt mediave sociale e në internet, gjë që ka ndikim të madh në mendimin e publikut.
Ai foli për mediat në Serbi, ku tha se nga 10 sa janë, vetëm një është e pa politizuar.
“Nga pikëpamja e ekspertëve profesionist në Serbi ne kemi 10 media të përditshme dhe vetëm një media e përditshme ndjek standardet profesionale dhe nuk është e politizuar. Pra në ketë medium gazetaria profesionale është mbi çdo ndikim tjetër. Në Serbi nuk ka asnjë media e përditshme që është krejtësisht e çliruar nga çdolloj ndikimi. Këtë situatë të ngjashme të mediave e gjeni në vendet e Ballkanit dhe Evropën Juglindore. Situata e mediave nuk ka qenë kështu përpara, kemi çdo ditë ma pak media të lira e të pavarura”, tha ai.
Ai tha se sfidat kryesore që përballet sot media janë lajmet e rreme, censura, e mosrespektimini i të drejtave të njeriut.
VERITAS.COM.AL/