Kreu i qeverisë, Edi Rama ka pritur në këta minuta te kesaj të hëne, presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Kryeministri.

Të dy liderët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë. Më pas, do të vijojë një takim mes delegacioneve respektive që do të mbyllet me nënshkrimin e një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Rama dhe Zelensky do të hapin samitin, që pritet të nisë në orën 11:00 në Pallatin e Kongreseve, me një fjalim, ndërsa më pas punimet do të jenë me dyer të mbyllura. Në orën 13:30 është parashikuar një konferencë për shtyp e Ramës dhe Zelenskyt, ku do t’ju përgjigjen interesit të gazetarëve.

Shqipëria ka qenë ndër vendet e para që u rreshtuan në krah të Ukrainës kur nisi pushtimi rus. Po ashtu, Shqipëria luajti një rol të rëndësishëm dy vitet e fundit kur ishte anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara  për çështjen e Ukrainës.