Konferenca e kryetarëve të grupeve parlamentare, e mbledhur këtë të hënë, ka vendosur që seanca e radhës plenare në Kuvendin e Shqipërisë të mbahet ditën e enjte, duke nisur nga ora 10.
Sapo është dhënë njoftimi nga Kuvendi se ‘jeta parlamentare shkon në normalitet’ duke u mbledhur seancat ditën e Enjte, ka reaguar menjëherë grupimi PD-LSI. Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka thirrur Kolegjin e Kryetarëve, ku është folur mbi hapat e protestës dhe bllokimin e punimeve të Kuvendit.
Ndërsa kryesia e Kuvendit ka arsyetuar se jeta parlamentare duket të vazhdojë normalisht, pavarësisht aktit ekstrem të krerëve politik të opozitës, Lulzim Basha i PD-së dhe Monika Kryemadhi e LSI-së, për djegien e mandateve të deputetëve të tyre.
Një pjesë e vogël e ish-deputetëve janë zëvendësuar tashmë me të rinj nga listat shumemërore partiake të zgjedhjeve të 2017-s, të cilat u njohën ndërkombëtarisht.
Edhe në protestën e fundit të të dy partive, në 16 mars, marshimi para Kryeministrisë kaloi në qetësi, akte dhune shpërthyen në momentin kur turma u zhvendos për te Parlamenti, ngjarje për të cilën u shoqëruan edhe disa protestues.
Përkundër protestave opozitare, kryeministri Rama mësohet të ketë thënë gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS-së se jeta vazhdon, “jemi në normalitet parlamentar” dhe se “në seancat plenare duhet të flasin të gjithë”, duke iu referuar kështu deputetëve socialistë.
Veritas.com.al/