Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres nuk e përjashtoi mundësinë e një lufte bërthamore në kohën kur Rusia vazhdon pushtimin e saj në Ukrainë, duke paralajmëruar se “zhvillimi rrëqethës” ishte ende një mundësi.

“Ngritja e nivelit të gatishmërisë së forcave bërthamore ruse është një zhvillim rrëqethës”, u tha Guterres gazetarëve të hënën. “Perspektiva e konfliktit bërthamor, dikur e paimagjinueshme, tani është kthyer në sferën e mundësisë”.

Guterres bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit në Ukrainë përpara se mundësia e luftës bërthamore të vazhdojë të përshkallëzohet.

“Është koha për të ndaluar tmerrin e lëshuar mbi popullin e Ukrainës dhe për të hyrë në rrugën e diplomacisë dhe paqes”, tha Guterres. “Apelet për paqe duhet të dëgjohen. Kjo tragjedi duhet të ndalet.”