Policia e Korçës ka vijuar punën për gjurmimin, identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive qe rrjedhin nga aktiviteti kriminal.

Në aksionin më të fundit të uniformave blu në juglindje, është bërë e mundur sekuestrimi i pasurisë, që arrin vlerën 15.100.000 lekë, në pronësi të 35-vjeçarit Erion Demolli. Ky i fundit rezulton të jetë person me precedent penal në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve.

Burimet bëjnë me dije se është vendosur sekuestro preventive mbi pasurinë e Demollit, i cili është dënuar për “Prodhim dhe shitje të narkotikëve” dhe të ardhurat e siguruara nga aktiviteti kriminal, dyshohet se i ka investuar në godinën “Tree hotel”.

NJOFTIMI I POLICISË:

Në vijim të punës për identifikimin dhe gjetjen e aseteve kriminale që rrjedhin nga veprimtaria kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë kishin dërguar materialet paraprake hetimore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Korçë, e cila ka regjistruar procedimin penal për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.