Katër persona janë arrestuar për shkak të sulmit ndaj dy shqiptarëve që ndodhi në qytetin serb të Novi Sadit mes natës së shtunë dhe të diel, ka thënë ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq.
“Policia, pas një hetimi intensiv në disa shtigje, ka identifikuar të gjithë sulmuesit që rrahën dy të rinj dhe ka arrestuar katër persona të dyshuar për këtë vepër penale. Janë gjetur edhe rrobat që i kishin të veshura të dyshuarit të dielën në mëngjes me rastin e sulmit, që është e rëndësishme për vazhdim të hetimeve”, tha ministri serb, raporton “Blic”, transmeton Koha.net.
“Edhe pse hetimi i deritanishëm, duke përfshirë edhe bisedat me të dyshuarit, por edhe me një prej viktimave, tregon se ky incident nuk është kryer në baza etnike, Policia do t’i shqyrtojë të gjitha akuzat në detaje dhe do të vijë deri tek e vërteta e plotë”, shtoi ministri Stefanoviq.
Kujtojmë se mes natës së të shtunës dhe të dielës, dy shqiptarë të Kosovës u sulmuan brutalisht në Novi Sad. Njëri nga të sulmuarit, Çlirim Maloku, 19 vjeç, i cili kishte pësuar lëndime të rënda në kokë, ka thënë se sulmi ka ndodhur pasi grupi i serbëve i ka dëgjuar këta të dy teksa flisnin në gjuhën shqipe.
Veritas.com.al/