Propozimi i rezolutës së Lëvizjes Socialiste të Aleksandar Vulinit për anëtarësimin e Serbisë në BRICS është marrëzi që as nuk duhet ta marrë parasysh. Këtë ka deklaruar Kryetari i Lëvizjes për Ripërtëritje Serbe dhe ish-shefi i diplomacisë Vuk Drashkoviç.
Drashkoviç tha për agjencinë Beta se e vetmja rrugë e arsyeshme për Serbinë është ajo evropiane.
“Ajo rezolutë është e pakuptimtë që as nuk duhet të merret parasysh. Që nga themelimi e deri më sot, e ardhmja është për Serbinë në Evropë dhe Evropën në Serbi. Kjo është mënyra e vetme e arsyeshme”, tha ai.
Ai theksoi se paraqitësi i rezolutës është një përfaqësues “fanatik” i politikës së Sllobodan Millosheviçit dhe Mirjana Markoviçit në vitet e nëntëdhjeta “të tmerrshme” të shekullit të kaluar, “dhe sot ai është njeriu më besnik në Serbi ndaj regjimit në Kremlin”.
“Duke paraqitur këtë rezolutë të çmendur, ai përdor të vërtetën tragjike se sot për shumicën dërrmuese të serbëve në Serbi, Republika Srpska dhe Mali i Zi, vendet e aleancës së NATO-s dhe Bashkimit Evropian, i gjithë ‘Perëndimi kolektiv’ janë armiqtë e popullit serb, ndërsa janë miq dhe mbrojtës të serbëve Rusia, Kina, Koreja e Veriut, Irani, Siria, Venezuela, diktaturat afrikane nën komandën e Wagnerit”, tha Drashkoviç.
“Zyrtarisht Serbia është ‘në rrugën e anëtarësimit në BE’. Në këtë rrugë BE-ja dhe Perëndimi përdoren si bankomat për investime dhe donacione dhe po bëhet një luftë propagandistike kundër BE-së dhe Perëndimit, edhe më ashpër dhe më primitive se junta agresore në Kremlin”, përfundoi Drashkoviç.
Më 28 gusht, deputetët e Lëvizjes Socialiste, partia e themeluar nga Aleksandar Vulin, paraqitën një propozim për një rezolutë për anëtarësimin e Serbisë në BRICS.
BRICS është një grupim i ekonomive botërore të Brazilit, Rusisë, Indisë, Kinës dhe Afrikës së Jugut, i formuar nga shtimi i Afrikës së Jugut në vitin 2010 në paraardhësin BRICS.