Sipas SHBA-së, takimi do të jetë një “hap i parë” për të parë nëse Moska është “serioze” në lidhje me bisedimet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – por nuk do të çojë në fillimin e negociatave.
Rusia, ndërkohë, thotë se bisedimet do të fokusohen në rivendosjen e marrëdhënieve SHBA-Rusi.
Por, më e rëndësishmja, Ukraina nuk është ftuar – dhe presidenti Volodymyr Zelensky ka refuzuar bisedimet, duke thënë se ata nuk do të njohin asnjë marrëveshje paqeje nëse nuk përfshihet Ukraina.
Gjithashtu nuk ka asnjë zyrtar evropian. Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së mbajtën bisedimet e tyre urgjente dje në Paris dhe kanë qenë të qartë se mendojnë se nuk duhet të merren vendime pa kontributin e tyre.
Po ashtu, Presidenti francez Emmanuel Macron bisedoi me presidentin amerikan Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky për t’i informuar ata rreth mbledhjes së djeshme të liderëve evropianë në Paris.
Duke shkruar në X, Macron tha se një marrëveshje paqeje “duhet të shoqërohet me garanci të forta dhe të besueshme të sigurisë për ukrainasit”.
“Ne do të punojmë për këtë së bashku me të gjithë evropianët, amerikanët dhe ukrainasit. Ky është çelësi”, shkroi Macron.
Shtëpia e Bardhë e përshkroi atë si një telefonatë miqësore me Macron, ndërsa Zelensky tha se ata ranë dakord që çdo garanci sigurie për Ukrainën duhet të jetë “e fortë dhe e besueshme”.
Komente