Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio u takua me kryeministrin Benjamin Netanjahu gjatë një vizite në Jeruzalem.

Teksa të dy vizituan Murin Perëndimor dhe tunelet pranë tij, Netanyahu tha se aleanca e Izraelit me Shtetet e Bashkuara është po aq e fortë dhe e qëndrueshme sa gurët e këtij muri.

Kryeministri izraelit theksoi se kjo aleancë nuk ka qenë kurrë më e fortë se nën udhëheqjen e presidentit amerikan Donald Trump.

Vizita e Rubio dhe deklaratat e Netanyahu vijnë pavarësisht kritikave publike që Trump bëri ndaj izraelit për sulmin në Doha të Katarit që kishte synim eliminimin e drejtuesve të lartë të Hamasit.

Trump la të kuptohej se Shtetet e Bashkuara nuk ishin njoftuar paraprakisht dhe shprehu pakënaqësinë e tij me veprimin e Netanyahu.

Rubio para udhëtimit të tij theksoi se fokusi i vizitës është që të sigurohet kthimi i sigurt i pengjeve, gjetja e mënyrave për të çuar ndihmën humanitare te civilët dhe adresimi i kërcënimit që paraqet Hamasi për rajonin.

Vizita dy-ditore e sekretarit të shtetit shfaq ndër të tjera mbështetjen për Izraelin, disa ditë para asamblesë të përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ku disa shtetet kanë njoftuar se do të njohin Palestinën.

Paralelisht me vizitën e Rubio në Izrael, diplomatët më të lartë nga vendet arabe dhe islame u mblodhën në Katar në një samit urgjent të thirrur nga Doha pas sulmeve izraelite.

Në samit pritet diskutimi i një draft deklarate mbi sulmin izraelit të përgatitur nga ministrat e jashtëm që ka të bëjë me dënimin e qartë të sulmit, presion të koordinuar diplomatik ndaj Izraelit në forumet ndërkombëtare dhe hapa ekonomikë që mund të arrijnë nivelin e një bojkoti./abcnews.al

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *