Kongresi amerikan ka prezantuar një projektligj me titullin “Ligji për Demokracinë dhe Mirëqenien në Ballkanin Perëndimor”, i cili ka synim të rrisë tregtinë, investimet dhe mbështetjen politike amerikane për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Projektligji, i depozituar më 10 shtator 2025 në Dhomën e Përfaqësuesve, përfshin Shqipërinë, Kosovën, Bosnjë-Hercegovinën, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë dhe Kroacinë, dhe e cilëson rajonin si një zonë kyçe për paqen, stabilitetin dhe sigurinë e Europës.
Pikat kryesore të projektligjit përfshijnë forcimin e demokracisë dhe luftën kundër korrupsionit, rritjen e tregtisë dhe investimeve amerikane sidomos në energji të pastër, infrastrukturë, bujqësi, teknologji dhe bizneset e vogla.
Po ashtu një pikë kyçe është reduktimi i varësisë nga energjia ruse duke nxitur diversifikimin energjetik dhe përdorimin e burimeve të rinovueshme.
Projektligji kërkon gjithashtu raporte të detyrueshme mbi ndikimin rus dhe kinez, duke përfshirë fushata dezinformimi, ndërhyrje politike dhe kërcënime kibernetike, duke ofruar mbështetje për mbrojtjen e infrastrukturës digjitale.
Një pikë tjetër e rëndësishme është zgjerimi i programeve arsimore dhe shkëmbimeve, përfshirë universitetet, Peace Corps dhe nisma për të rinjtë dhe krijimi i “Young Balkan Leaders Initiative”, për zhvillimin e liderëve të rinj në biznes, teknologji, qeverisje dhe gazetari.
Projektligji parashikon gjithashtu mbështetje për integrimin euroatlantik dhe riafirmon përkrahjen amerikane për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe NATO të vendeve që përmbushin kriteret.
Kongresi amerikan gjithashtu identifikon korrupsionin, si pengesën kryesore për zhvillimin demokratik dhe ekonomik të rajonit.
Komente