Rifreskim tërësor i sanksioneve ndaj udhëheqësit serb të Bosnjë Hercegovinës, Milorad Dodik, i cili ka për qëllim të bashkojë atë që njihet si Republika Srpska me Beogradin, duke cenuar kështu stabilitetin e rajonit.
Të gjitha pronat që janë në SHBA në emër të Dodik janë bllokuar, gjithashtu edhe Alternativna Televizija doo Banja Luka (ATV), një media me bazë në Banja Luka, pronë nga një kompani e lidhur ngushtë me familjen e Dodik.
Arsyetimi për këto sanksione, lidhet me akuza mbi korrupsionin dhe kërcënimin që Dodik po i sjell sigurisë dhe integritetit të Bosnjës.
Departamenti i Thesarit në SHBA, në një deklaratë për shtyp, ka përqasur sanksione edhe ndaj një medie televizive, Alternativna Televizija d.o.o. Banja Luka. Kjo e fundit përshkruhet si media, e cila nxit agjendën personale të Dodik në rrugën e ndarjes nga Bosnja dhe Hercegovina.
Ndër të tjera, në përcaktimin e Dodik, përshkruhet se lideri serb i Bosnjës po përpiqet të zhbëjë marrëveshjen e Dayton-it për Paqen.
“I motivuar nga interesat e veta personale, ai po cenon stabilitetin e Bosnjës dhe gjithë rajonit”.
Kështu tha Brian Nelson, zëvendës sekretari i Shtetit në çështjet e terrorizmit dhe inteligjencës financiare.
Bosnja po has krizën më të madhe politike që prej fundit të luftës në vitet 1990. Frika për një ndarje në tre pjesë midis boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve, është rikthyer eminente.
Shqetësime të mëdha kanë ardhur edhe nga vetë NATO apo Bashkimi Evropian, si struktura të cilat kërkojnë të ruajnë me çdo kusht paqen dhe stabilitetin e rajonit ballkanik.
Në fakt, një ndarje e mundshme e Bosnjës, mund të jetë “fatale” për gjithë pjesën perëndimore të Ballkanit.
Kosova ende nuk ka gjetur gjuhën e përbashkët me Serbinë mbi dialogun. Ndaj, një frikë e mundshme është edhe ajo se veprimet e Dodik, mund të ndikojnë në rritjen e një ndjenje më të tejskajshme nacionalizmi serb në Kosovë dhe një ndërhyrjeje ushtarake.
Vetë Departamenti i Shtetit, ka paralajmëruar disa herë se përcaktime të tilla do të ndodhnin në Ballkan. Këto do të përfshinin edhe zyrtarë të lartë.
Vetë Dodik, është një ndër ta dhe këto sanksione mund të vijnë si një goditje e rëndë ndaj figurës së tij dhe besueshmërisë në publik.
Ndërsa, nga ana tjetër, mbështetje të padiskutueshme për Dodik, ka dhënë presidenti rus, Vladimir Putin.