Me lutjen që shqiptarët të kenë besim tek mjekët dhe kërkesa e tyre për të qëndruar në shtëpi, shefja e shërbimit në Spitalin Infektiv, Najada Çomo pohoi sot se në këtë pavion tashmë po përballen me shtim të të infektuarve, tre prej të cilëve janë në terapi intensive.

“Lufta është hapur, kemi shtim të numrit të pacientëve në shërbimin infektiv, situata e një pjese të tyre është në gjendje të mesme, ndërsa tre pacientë janë në repartin e terapisë intensive”, tha ajo, pa sqaruar se çfarë terapie po i bëhet të sëmurëve.

Çomo tha se donte të siguronte qytetarët e Shqipërisë se “ne jemi staf i mirëtrajnuar, me mjekë, infermiere, sanitare, laborantë e shumë të tjerë që janë në skalionin e parë të betejës. Ju keni besim tek ne dhe ne do bëjmë punën tonë në maksimum”.

Mjekja kërkoi dhe mirëkuptimin e qytetarëve  për qëndrimin në shtëpi pasi kjo është një fitore e madhe për ata pasi ulin rrezikun e përhapjes së virusit.

“S’është sakrificë e madhe të qëndrosh në shtëpi, sakrificë e madhe është të përballesh me sëmundjen, uroj e besoj që bashkëqytetarët do na mirëkuptojnë duke na mirëbesuar e duke mos frekuentuar ambiente publike, familjarë të sëmurë apo të shmangin qëndrimet që rrezikojnë për të infektuar personat e tjerë”.

VERITAS.COM.AL/