Bulevardi kryesor i Kamzës, nga sot nuk do të njihet më me emrin ‘Bulevardi Blu’, por do të quhet Bulevardi “Nënë Tereza”. Bulevardi në Kamëz u ‘pagëzua’ me emrin e ri, në nder të Nënë Terezës, në 5 vjetorin e shenjtërimit të saj.

Në Kamëz u zhvillua sot edhe një ceremonie zyrtare, ku të pranishëm ishin dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali si dhe kryetari i Bashkisë, Rakip Suli.

Në Bulevard është vendosur edhe shtatorja e Nënë Terezës, e realizuar nga skulptori Ardian Pepa.

“Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës është kujtesë e fortë për mbarë botën se ç’mësim njerëzor i dha kombeve shqiptarja humaniste. Në Kamëz, bashkë me Kryetarin e Bashkisë, Rakip Suli dhe Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Aldrin Dalipi, inaguruam shtatoren e shenjtores sonë në bulevardin e qytetit. Me vendim të Këshillit Bashkiak. bulevardi kryesor i qytetit do të mbajë emrin Bulevardi “Nënë Tereza”, në nder të emrit dhe misionit të Saj të papërsëritshëm”, shkruan Spiropali.

Në tetor të 2008, administrata e dikurshme emëroi bulevardin kryesor të Kamzës ‘Bulevardi blu’, një ngjyrë që identifikon PD-në, kohë kur rrugët e Kamzës u mbushën me emra të ish-drejtuesve të kësaj force politike.