Politikani rus i opozitës Alexei Navalny, një kritik i zëshëm i presidentit Vladimir Putin, ka ndërruar jetë në burg.

Lajmi është bërë i ditur nga shërbimet e burgut, të cilët kanë deklaruar se Navalny është ndjerë keq pas një shëtitje, duke humbur vetëdijen.

“Më 16 shkurt 2024, në koloninë nr 3, i dënuari Alexei Navalny nuk u ndje mirë pas një shëtitjeje, duke humbur vetëdijen”, thuhet në një deklaratë.

“Menjëherë kanë mbërritur mjekët e institucionit dhe është thirrur ekipi mjekësor i urgjencës. Mjekët e urgjencës kanë konfirmuar vdekjen e të dënuarit”, thuhet në përfundim.

Por kush ishte Alexei Navalny?

I lindur nga pronarë fabrikash në një fshat në perëndim të Moskës, Alexei Navalny u bë ndoshta kritiku më i madh i Putinit në pushtet. Ishte në gusht të vitit 2020 kur lufta e tij kundër presidentit rus mbushi titujt kryesorë botërorë.

Ai u sëmur gjatë një fluturimi nga Siberia në Moskë dhe ra në koma nga helmimi.

Navalny u trajtua në Gjermani ku qeveria tha se ai ishte helmuar me një agjent nervor kimik nga grupi Novichok.  Novichok u përdor në një sulm në mars 2018 ndaj ish-spiunit rus Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia Skripal, në qytetin Salisbury.

Navalny u kthye në Rusi në janar 2021 dhe u arrestua menjëherë nga autoritetet.

Një muaj më vonë, një gjykatë në Moskë e dënoi Navalny me më shumë se dy vjet e gjysmë burg për shkelje të kushteve të provës  nga një çështje e vitit 2014, ndërsa ai ishte në Gjermani.

Në dhjetorin e kaluar, Navalny u transferua në burgun famëkeq që gjendet në një zonë të largët. Emri zyrtar i burgut është IK-3, por njihet më shumë si “Ujku polak”. Burgu gjendet afër 2.000 kilometra në verilindje të Moskës dhe ka rreth 1.050 të burgosur.

Navalny u dënua me 19 vjet burgim në gusht të vitit 2023 nën akuza për ekstremizëm.  Ai kishte deklaruar se akuzat ndaj tij ishin të motivuara politikisht.