Kryeqyteti është zgjuar me reshje të dendura të shiut këtë të mërkurë.
Reshjet e dendura vijuan për disa minuta, duke shkaktuar përmbytje të rrugëve në disa zona dhe trafik të shtuar.
Te ish-parku i Autobuzëve rrugët janë përmbytur.
Ndërkaq situatë problematike paraqitet sërish në lumin e Lanës në zonën që njihet si “Pallati me Shigjeta”, ku duket se uji ka arritur në kuotat maksimale duke kërcënuar me daljen nga shtrati, siç ndodhi dhe pak ditë më parë.
Sipas meteorologes Tanja Porja, rrebeshet do të jenë të shpeshta gjatë gjithë ditës së sotme në gjysmën veriore të vendit, ndërsa në jug rrebeshet do të zhvendosen pas mesditës. Edhe këtë herë zonat qendrore do të kenë sasitë më të larat të reshje, 50-80 milimetra.
Sot parashikohet gjithashtu në të gjithë territorin rrebesheve të shpejta e stuhive me shkarkesa të forta elektrike e breshër.
Gjatë orëve të mbrëmjes parashikohet se reshjet do të ulin intensitetin dhe do të jenë në formën e shtrëngatave afatshkurtra.
Kujtojmë se të njëjtat problematika u krijuan të premten e kaluar në kryeqytet kur vendi ynë u godit nga stuhia ‘Ciaran’. Lana doli nga shtrati dhe banesat pranë Pallatit me Shigjeta u përmbytën.