Kryesia e Partisë Socialiste ka vendosur që në seancën parlamentare më të afërt të nisë procedurën për shkarkimin e presidentit të Republikës, Ilir Meta.

Iniciativa parlamentare vjen menjëherë pas lëvizjeve jashtë- kushtetuore të presidentit të Republikës për anulimin e zgjedhjeve të pushtetit lokal, të caktuara për 30 qershorin.

Për kryeministri Edi Rama vendimi anulues i presidentit ishte i pritshëm. Burime nga mbledhje e kryesisë së PS, thanë se në fjalën e tij kryesocialisti është shprehur se seanca plenare e ditës së enjte do të  finalizohet me rezolute për shkarkimin e presidentit

“Vendimi i presidentit ishte i pritshëm!  Ne jemi republike parlamentare, jo presidenciale. Ndaj asgjë s’na ndal te vijojmë përpara me 30 qershorin. Te enjten debat shume i gjate parlamentar. Te shpalosim te gjitha argumentet kundër këtij vendimi te Presidentit. E enjtja do te finalizohet me rezolute për shkarkimin e presidentit. Duhet te fokusohemi n 30 qershor. Jemi ne mes te lojës. Pas debatit çështja diskutohet ne KQZ e me pas do kaloje ne kolegj. Fokusi ynë 30 qershori.” -mësohet të jetë shprehur Rama.

Vendimi i Kryesisë së PS, për nisjen e procedurës për shkarkimin e Presidentit të Republikës, u njoftua për mediat në përfundim të mbledhjes nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali.

Veritas.com.al/