Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mëngjesin e 6 majit ka marrë vendimin për të shkarkuar prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj.
Vendimi për shkarkimin e tij është marrë në mënyrë unanime.
Sipas saj, në vitin 2009 dhe 2010, ai ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion duke caktuar një trupë gjykuese për një konflikt prone.
Emri i tij u bë edhe më i njohur për mediat, kur në vitin 2019 mbeti i plagosur gjatë një atentati me armë të ndodhur në autostradën Durrës-Tiranë.
Prokurori asokohe po udhëtonte në shoqërinë e një personi me precedentë penalë.
Ai nuk nguroi të thoshte se atentati ndaj tij ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë.
Pas kësaj ngjarje, Këshilli i Lartë i Prokurorisë kërkoi një hetim disiplinor ndaj Ndojës për sjellje që bien në kundërshtim me statusin e magjistratit.
Po ashtu përpos figurës së tij jo të pastër, edhe pasuria e cila është një ndër tre shtyllat e rivlerësimit për prokurorët, kishte probleme.
Fillimisht Ndoja në deklarimin e tij të parë të pasurisë në vitin 2003 tha se zotëronte pasuri me vlerë 200 mijë lekë.
Më pas pasuria e tij shënjoi një rritje marramendëse – plot 649 herë më e lartë.
Kështu në vitin 2016, prokurori zotëronte pasuri të paluajtshme me vlerë 44.8 milionë lekë, sende me vlerë të veçantë prej 21.5 milionë lekësh, likujditete bankare prej 12 milionë lekësh, automjete me vlerë 8.5 milionë lekë si dhe kursime në cash prej 633 mijë lekësh.