Izraeli është duke u përgatitur për një ndërhyrje ushtarake ndaj Iranit, në një moment kur tensionet në Lindjen e Mesme janë rritur ndjeshëm. Një ofensivë e tillë mund të rrezikojë përpjekjet e administratës së Presidentit Donald Trump për të arritur një marrëveshje diplomatike me Teheranin, e cila do të ndalonte zhvillimin e armëve bërthamore nga Irani.

Sipas raportimeve të The New York Times, nuk dihet ende qartësisht se çfarë përmase mund të ketë sulmi izraelit. Ky zhvillim vjen pas muajsh presioni të ushtruar nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ndaj Presidentit Trump që të shfrytëzojë momentin që Izraeli e konsideron si dobësi të Iranit për të ndërmarrë një goditje ushtarake. Më herët, Trump kishte refuzuar një propozim për ndërhyrje nga Izraeli, duke theksuar se donte të jepte përparësi bisedimeve me Teheranin për një marrëveshje që do të ndalonte pasurimin e uraniumit nga ana e Iranit.

Rreth dy javë më parë, Trump konfirmoi se kishte paralajmëruar Netanyahu-n që të mos niste një sulm gjatë kohës që diplomacia ishte ende në tryezë. Megjithatë, zyrtarë amerikanë bëjnë të ditur se kësaj here duket se presidenti ka qenë më pak i angazhuar në përpjekje për ta penguar një sulm të mundshëm izraelit. Kjo, pasi lideri suprem i Iranit refuzoi një propozim të Uashingtonit për të ndalur pasurimin e uraniumit, çka ka zbehur shpresat për një zgjidhje paqësore.

Në këtë kontekst, SHBA ka nisur një evakuim të pjesshëm të ambasadës së saj në Bagdad, duke tërhequr personelin jo thelbësor dhe familjarët e tyre për shkak të rrezikut të shtuar të sigurisë. Paralajmërimi është lëshuar pas informacionit se Izraeli mund të nisë së shpejti një operacion ushtarak kundër objektivave iraniane, i cili mund të pasohet nga hakmarrje iraniane kundër trupave apo bazave amerikane në rajon.

Presidenti Trump, në një intervistë të dhënë së fundmi, ka shprehur pesimizëm për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me Iranin për programin e tij bërthamor. Shtetet e Bashkuara kërkojnë ndalimin e plotë të pasurimit të uraniumit nga Irani, një proces që mund të shërbejë për ndërtimin e armëve bërthamore, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ekonomike.

Nga ana tjetër, ministri iranian i Mbrojtjes, Aziz Nasirzadeh, paralajmëroi se nëse bisedimet dështojnë dhe SHBA urdhëron një sulm, Irani do të kundërpërgjigjet ndaj bazave ushtarake amerikane në rajon.

Sipas agjencisë Reuters, Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, ka autorizuar gjithashtu largimin vullnetar të familjarëve të ushtarakëve amerikanë nga disa vende të Lindjes së Mesme, përfshirë Kuvajtin dhe Bahreinin.

Ndërkohë, Organizata Britanike për Operacionet Detare Tregtare, pjesë e Marinës Mbretërore, ka lëshuar një paralajmërim për transportin detar në rajon, duke theksuar se përshkallëzimi i situatës mund të ndikojë seriozisht në sigurinë e lundrimit dhe tregtinë detare.

Pas këtyre zhvillimeve, çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare u rrit me mbi 4%, si pasojë e frikës për ndikimin e pasigurisë rajonale në furnizimin global me energji.

Sipas Pentagonit, aktualisht në Irak janë të dislokuara rreth 2,500 trupa amerikane, të cilat mund të bëhen objektiv i sulmeve nëse kriza përshkallëzohet më tej./

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *