Autori i vrasjes së kushëririt një ditë më parë në Shkodër është vënë në pranga nga policia në banesën e një të moshuare të cilën e kishte kërcënuar që të mos tregonte.

Gazetari Simon Shkreli raporton për ABC News, se Lekë Vuksani, para arrestimit është pikasur në dy vende të ndryshme nga dronët e policisë, por për shkak se ai ka qenë i armatosur ka qenë e vështirë që të bëhej ndërhyrja e menjëhershme nga policia, pasi ai mund të kryente një tjetër vrasje.

Ndër të tjera mësohet se lokalizimi i tij është bërë përmes valëve të telefonit që ai kishte harruar që ta fikte.

Ndalimi i tij nuk ka qenë i vështirë, por më i vështirë ka qenë faza përgatitore, në momentin e arrestimit ai nuk e ka pasur armën pranë po ka qenë në një ambient tjetër të banesës ku ai ishte strehuar.

Ndërkohë kujtojmë se një ditë më parë 51 vjeçari Petrit Vuksani është vrarë brenda banesës së tij, nga kushëriri të cilin e kishte nxjerrë nga shtëpia pasi nuk i kishte paguar qiranë.