
Aksioni i nisur në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike ka vijuar me intensitet në Shkodër.
Në kryeqendrën e veriut, një pjesë e bizneseve i janë përgjigjur thirrjes duke bërë lirimin vullnetar të hapësirës së zënë nga aktiviteti i tyre. Në kuadër të këtij aksioni, Policia bashkiake e Shkodrës, e adreson thirrjen tek bizneset që refuzojnë të zbatojnë urdhrin për lirimin e hapësirave.
Edhe në bashkinë e Lezhës ka nisur një aksion i gjerë inspektimi për identifikimin e zaptimeve të hapësirave publike dhe ndërtimeve të kryera pa leje.
Në terren janë angazhuar ekipe të përbashkëta nga Inspektorati Kombëtar dhe Vendor i Mbrojtjes së Territorit, Tatimet dhe Policia Bashkiake.
Sipas verifikimeve paraprake, një pjesë e konsiderueshme e objekteve janë ndërtuar ndër vite dhe posedojnë dokumentacion ligjor, por janë evidentuar edhe raste të ndërhyrjeve të paligjshme mbi pronën publike apo ndërtimit pa miratim nga autoritetet përkatëse.
Aksioni për lirimin e hapësirave publike ka vijuar edhe në qytetin e Fierit. Grupet në terren po punojnë për heqjen e heqjen e tavolinave të lokaleve nga trotuaret ku janë vendosur edhe gjoba.
Ndërkohë, për objektet e tjera si mure rrethues, godina në anë të rrugeve ky aksion po kryhet paralelisht me investimet në rrugë. Këtë të mërkureë operacioni është zhvilluar me prishjen e një objekti në lagjen “29 Nëntori”, ndërsa po punohet për zgjerimin dhe asfaltimin e rruges hyrese në veri të qytetit.
Aksioni në të gjithë vendin synon të rikthejë hapësirat publike në funksion të komunitetit, si e drejtë e qytetarëve për të pasur ambiente të lira dhe të aksesueshme./abcnews.al
Komente