Paraditen e të hënës me kërkesë të prefektit të Shkodrës do të zhvillohet mbledhja e konstituimit të këshillit bashkiak të bashkisë së këtij qyteti, dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit.

Por kjo mbledhje do të shënojë dhe precendentin e parë kur këshilli bashkiak nuk do të votojë për shpalljen e vlefshmërisë së mandatit të kryetarit të ri të bashkisë, por për miratimin e  dorëheqjes së tij.

Pas akuzave të demokratëve se ‘ka fshehur dënimin’ për trafikim të lëndëve narkotike kur jetonte në Itali, Valdrin Pjetri, kryebashkiaku socialist i dalë nga zgjedhjet e 30 Qershorit , u dorëhoq.

Por kjo situatë e paprecedentë duket se do të ketë dhe zgjidhje të panjohur më parë.

Këshilli bashkiak i Shkodrës pritet që të zgjedhë në mbledhjen e të henës si kryetar të përkohshëm një nënkryetar bashkie, por ende nuk bëhet e qartë nëse do të jetë një nga nënkryetarët aktualë demokratë, apo një i ri i zgjedhur nga socialistët.

Ligji për qeverisjen vendore parashikon se “Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës çka i mundëson kryebashkiakes  në ikje Voltana Ademit qëndrimin në detyrë. Por në këtë rast ky ligj bie ndesh me parashikimin ne Kodin Zgjedhor, ku thuhet se  mandati i kryebashkiakëve është i kufizuar dhe mbaron  në të njëjtën datë të të njëjëtit muaj të vitit të katërt pas datës së shpalljes së rezultatit përfundimtar nga KQZ.

Në zgjedhjet lokale të 2015 rezultati përfundimtar nga KQZ u shpall në 10 Gusht, çka sipas parashikimit të Kodit Zgjedhor mandati i kryebashkakes Ademi ka përfunduar javën e shkuar, në 10 Gusht.

Presidenti Meta është shprehur se nuk do të dekretojë asnjë datë të re për zgjedhje të pjesshme në Shkodër pasi ai nuk i njeh zgjedhjet e 30 Qershorit dhe ka dekretuar 13 Tetorin si datën e lokaleve 2019.

 

Dega lokale e PD ka njoftuar mbajtjen e një proteste të hënën para rektoratit, për të mos lejuar atë që e quajnë kapje të qytetit, pasi e konsiderojnë të paligjshme mbledhjen konstituuese të Këshillit Bashkiak.