Vijojnë largimet nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Kryetarja e LRI-së, Xheni Gjergji dhe koordinatorja e të rinjve gjimnazistë, Romina Meçe, që të dyja ish-drejtuese të rëndësishme në Njësinë 9, së bashku me disa të rinj, ish-anëtarë të tjerë të kësaj force politike, e kanë braktisur LSI-në për t’u bashkuar me Partinë Socialiste.

“Jam 27-vjeç, kam studiuar në Universitetin Bujqësor të Tiranës për ekonomik. Vij si ish-kryetare e LRI-së në Njësinë 9. Jam marrë edhe me pjesën e Sekretariatit Organizativ në fushatën e 2017-ës. Të gjithë këta të rinj që janë sot këtu, janë shkëputur për shkak të zhgënjimeve dhe të përdorimit familjarisht. Ndaj, vendosëm që të gjithë bashkë t’i bashkojmë forcat,” u shpreh Xheni Gjergji, në takimin me të rinj që iu bashkuan PS.

“Unë jam 20-vjeç, në vitin e 3-të tek Universiteti Bujqësor i Tiranës. Kam qenë e angazhuar me LRI-në për gjimnazet. Euforia për të punuar, por dhe mundësia për një të ardhme më të mirë më sollën këtu,” pohoi Romina Meçe.

Kryebashkiaku Erion Veliaj përgëzoi të dyja vajzat për vendimin e marrë.

“Ju falenderoj me gjithë zemër! E them vërtet këtë sepse e di që ka qenë një vendim i vështirë, i cili nuk është marrë si një kafe ekspres që e bën për 2 minuta, por si diçka që është bluar dhe mirëmenduar. E di fare mirë lumin e sharjeve dhe të ofendimeve – kur iu shërbeje këtyre partive private dhe familjare je më i miri në botë, por kur do të interesohesh për familjen tënde, për familjen e qytetit, të quajnë llum.

E di edhe sa toksik është ky mjedis. Është çmimi që paguan kur ti angazhohesh në këtë vend. Kush guxon dhe merr një vendim ndryshe nga turma histerike, linçohet. Megjithatë, lajmi i mirë është që në fund e mira dhe e drejta fiton, puna e mund gjumin, dashuria e mund dhunën, afeksioni për njëri – tjetrin i mund të gjitha këto helme,” u shpreh Veliaj.

VERITAS.COM.AL