Policia ka dhënë detaje të reja lidhur me shpërthimin dhe zjarrin që përfshiu një pallat në lagjen “Qemal Stafa” në Elbasan, ku humbën jetën dy persona dhe mbetën të lënduar 10 banorë të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar, pas disa orësh kërkimesh intensive, rreth orës 00:40 u gjet trupi i pajetë i pronarit të banesës ku ra zjarri, 69-vjeçarit me inicialet H. I. Ndërkohë, nga ngjarja humbi jetën edhe një 82-vjeçare, e cila u gjet pa shenja jete në vendngjarje.

Si pasojë e shpërthimit dhe zjarrit, 10 banorë të pallatit mbetën të dëmtuar. Ata morën ndihmën e nevojshme mjekësore në spital dhe më pas u larguan nga ambientet e tij. Ngjarja shkaktoi gjithashtu dëme të shumta materiale në pallat.

Nga hetimet paraprake, policia dyshon se shkak i shpërthimit ka qenë prania e tepërt e gazit në banesën e 69-vjeçarit. Në hetime janë përfshirë edhe ekspertë xhenierë të RENEA-s, ndërsa veprimet po kryhen nën drejtimin e Prokurorisë së Elbasanit.

Grupi i posaçëm hetimor vijon punën për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkakun e saktë të shpërthimit.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *