Frrok Çupi

Megjithëse nuk besoj se do të shpëtojmë, këtë nuk kam pse ua them të tjerëve, ka plot të tjerë të të njëjtit komb që po ia ulin kokën njeriut. Më në fund i kemi drejtuar sytë nga Amerika, për herë të fundit, për një Drejtësi të vërtetë, domethënë për shpëtim. Jemi një komb i rrallë që për të hequr qafe sundimtarin tonë, thërrasim aleatët. Para kësaj here kur po pritet që xhelatët e korrupsionit të vihen nën Drejtësinë amerikane, e njëjta gjë ka ndodhur në vitin 1997.  Atëherë 50 qeveri të 50 kombeve të botës votuan që një ushtri prej 6000 ushtarësh të hyjë në Shqipëri e të mbrojë shqiptarët nga shqiptarët.

A i ka ngjallur shpresat misioni i Amerikës?

Me sa kam kuptuar, njerëzit kanë përfituar këtë perceptim: Amerika vjen me pranga në duar dhe thërret të parin, ndoshta vetë të parin e shtetit: ‘Ej, ti, hajde këtu. Ku e ke çuar floririn? Sa para ke fshehur në Azerbajxhan a në parajsë tjetër? Kush e vrau bankierin? Kujt i përkasin birra Korça, birra Tirana, lëngu i djallit që i ke futur në duar?…”.

Ky është një perceptim.

Pastaj perceptimi tjetër për dhunën shtetërore, ndoshta më e egër se e komunizmit, menjëherë pas rënies së komunizmit. Pa dhunë të pastër nuk mbrohet grabitja e pasurisë… Pastaj vjedhja e kursimeve të shqiptarëve dhe larja në përgjakjen e vitit ’97, paratë e pista të thyerjes së embargos së naftës që i dha shpirt diktatorit të Ballkanit, Millosheviç për të eliminuar shqiptarët… Dhe perceptimi global: Sipas disa ‘rrjedhjeve’ nga informacionet e mediave të llojit të Wikileaks, tre a katër vjet më parë, shqiptarëve u është grabitur një pasuri rreth 20 miliardë paund. Grabitja u ka ulur kokën njerëzve. Pas grabitjes dhe në varfëri, kombi nuk mund të kërkonte të drejtat e veta ‘ hebraike’, dmth., të serta, si liria, krenaria, dinjiteti, radhimi për në qytetërimin ku i takon.

Edhe pse jemi një komb po aq i lashtë dhe i sertë, nuk kemi mundur të dëshmojmë qoftë edhe një kualitet ‘hebraik’. I varfëri dhe i dhunuari prej të vetëve, nuk mund të ngjitet në krye të kombeve të zhvilluar.

A do të funksionojë aleanca me aleatët për të shpëtuar prej nesh?

Këtu shfaqen edhe fantazmat e të keqes:

E para, shumica e keqe.

Nuk ka në botë shumicë të keqe, se ndryshe bota shembet…Si bëhet kjo këtu?, a vallë shumica e shqiptarëve ka grabitur shumicën e shqiptarëve? Absurd. Janë vetëm pak ata, pakica e pakicës ajo që i ka bërë gropën fatit të kombit. President e ish presidentë, ministra e ish ministra e ish kryeministra, disa servilë e mjeshtër për të grabitur, dhe kaq… Sipas këtij realiteti, kombi shqiptar që është shumicë, e fiton për pesë ditë betejën kundër të vetëve. Mirëpo ‘ mjeshtrit’;  mund të ndryshojnë edhe shumicat. Këta kanë bërë partitë e tyre dhe njerëzit japin jetën në luftë për shefat e partive: Për LSI, për PD, për PS… Atëherë del që këta janë shumicë. Kjo ka ndodhur në të gjitha luftërat që ka bërë populli në ‘emër të popullit’, që nga lufta e Dytë e deri te lufta kundër Zotit në vitet ’70. I vetmi vend ku kultet e besimit u shembën sa hap e mbyll sytë, dëshmoi sikur shumica ishte kundër Zotit. Njësoj si ajo ishte lufta e 2 Marsit, kur populli liridashës i Demokratikasve, u bë bllok rreth presidentit që është ikonë kontinentale për korrupsion; njerëzit e partive u bënë parzmore e mishtë në mbrojtje të tij. A qenka shumica ajo që mbron nënshtrimin?

E dyta, emocionet:

Politikanët reaksionarë na ofrojnë politikën e emocionit. Janë barbarë të vërtetë kur e bëjnë këtë.

Nuk e patë pardje se si presidenti i Republikës u shfaq në një foto me bluzat e një ekipi skocez duke vrapuar buzë detit. ‘Bëra 26 km., tha’. Pak më parë doli me macet para vilës. Po kujt i vlen kjo? Apo për të emocionuar vulgun dhe viktimat me macje dhe me vrap? Po një film i gjatë televiziv ku vila po buzë detit rrëzëllen si luksi i Çausheskut, pse bëhet? Veçse për të emocionuar viktimat. Nxisin emocione në mbrojtje të fukarenjve, emocione kundër pronës, emocione kundër të pasurve… Politikanët e këqij kanë të njëjtin ves me ‘vjedhësin e fiqve’. Në momentin kur duan t’i bëjnë gjëmën kombit, fryjnë emocionet.

Kombi ynë deri tani ka kaluar disa lloje emocionesh:

Emocioni i vrasjes së kundërshtarëve që nisi me Remzi Hoxhën, në 21 tetor 1995, derisa eliminimi u bë ‘familjar’. Lidershipi politik ndryshoi drejtimin e  emocioneve njerëzore. U eliminuan të tjerët, pa zë:   Gjovalin Çekini, Ali Uka, Azem Hajdari, vetë Gazidede, Trebicka, Artan Santo… Po të mbetej puna vetëm te i pari, njerëzit do të përftonin emocione lirie, por kur u bënë disa- emocionet e vrasjes u devijuan drejt frikës. Në frikë sundimtari lundron i qetë.

Emocioni i pronës dhe i fisnikërisë. Pyesin naivët: Pse nuk ka fisnikë këtu? As kontë, as lordë… Kundër tyre kanë vepruar dy regjime anti- pronë: I pari në vitin 1945, kur Hoxha nisi me gjurmimin e pesë pasanikëve shqiptarë deri në Kongo…, pastaj i zhveshi të gjithë. Komunizmi i dytë në vitin 1991, kur ligji 7501 risolli të drejtën e njërit për të grabitur disa të tjerë. Në vitin 97 u grabit gjithçka, në buxhetin e shtetit mbetën vetëm 17 milionë lekë. Pas kësaj nuk pritet gjë, i grabituri nuk ngre më kokë.

Emocioni i Kushtetutës. Ky është emocioni vdekjeprurës për lirinë tonë. Në pikun e hallit të njeriut, këta dalin në ballkon dhe thërrasin se ‘Po na shkelet Kushtetuta’. Ndërkohë që vetë shkel mbi njerëzit, iu grabit gjithçka kanë, thërret për hijen e njeriut të shkelur. Kushtetuta  për ta është një ‘lavire’ me të cilën kanë fjetur natën ndërsa në mëngjes trembin popullin se po ‘ua dhunojnë’ zonjën. Këtu njerëzve iu zë frymën Kushtetuta e tyre.

Dhe lufta finale:

Tanët ia kanë pushtuar popullit aktin e lirisë; jo vetë lirinë, por aktin e saj. Liria rron te ne, por rron vetëm si guackë, pa shpirt, pa veprim. Këta bëjnë gjithçka që populli të mos ketë liri në veprim. Në liri do të kërkonte të parën: pronën e vjedhur. Pastaj do të kërkonte shpirtin e topitur dhe moralin e rrënuar.

Politikanët pasi kanë vënë në gjumë ‘luanin’ e lirisë njësoj si të ishte kotele në oborrin e vilës, pas kësaj shfaqen të qetë; sepse liria rri aty galuc e veç sa merr frymë. “Rri aty, fli si qengj!’- kështu e ninullojnë lirinë këta, derisa liria të mos ndjehet më. Liria do të shkatërrohet vetë nëse nuk ushtrohet brenda një lloj kornize morale- thoshte Margaret Thatcher… Prapë edhe këtij shekulli nuk mundemi ta shpëtojmë kombin nga tanët pa ndihmën e aleatëve?!

VERITAS.COM.AL/