Kjo e fundit e cilësoi si një projekt me rëndësi të veçantë, i cili po bëhet realitet me kompanitë më të njohura amerikane. Ministrja theksoi se ky projekt nga lokal do të kthehet në rajonal.
Balluku theksoi se synimi i qeverisë po arrihet në përmbushjen e vizionit “Shqipëria 2030, eksportuese neto e energjisë”.
Pompeo, i cili shërbeu në detyrën e Sekretarit të Shtetit, gjatë presidencës së Donald Trump nga viti 2018 deri në 2021 ka vizituar Shqipërinë në kuadër të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-SHBA.
Balla ka organizuar një konferencë kushtuar pikërisht 100-vjetorit të marrëdhënieve bilaterale.
Furnizimi me gaz
Më 27 prill në një konferencë me investitorë të rëndësishëm nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian, ishte Balluku, që foli për planet e zhvillimit.
Një sërë projektesh përfshiheshin, duke veçuar hidrocentralin e Skavicës apo edhe projektin për ndërtimin e TEC-it në Vlorë, i cili pritet të prodhojë energji elektrike nëpërmjet gazit natyror.
Duke parë edhe zhvillimet e fundit mbi energjinë në Evropë, ku së fundmi Rusia ka ndërprerë furnizimin me gaz për Poloninë dhe Bullgarinë, është më e nevojshme se kurrë të gjenden rrugë alternative për energjinë në kontinentin e vjetër.
Pikërisht në këtë skenar, mund të bëhet pjesë edhe Shqipëria, për shkak të kalimit të projektit të gazsjellësit adriatiko-jonian TAP në një pjesë të territorit.
“Kriza ndërkombëtare s’ka kursyer asnjë shtet. Konferenca vjen në një situatë të vështirë në të gjithë botën. Projekti ynë, ku një nga komponentët kryesorë është lidhja e TAP-it me Evropën, ka tërhequr vëmendjen e aktorëve më të mëdhenj të sektorit të gazit”, tha Balluku gjatë fjalës së saj.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama ishte edhe më optimist mbi çështjen, duke theksuar se jo vetëm Shqipëria ka potencial për të qenë një fuqi energjetike rajonale, por edhe evropiane.
Në këtë ekuacion, ai përmendi kalimin e gazit azer në Shqipëri, për të shkuar më pas në Evropë.
Gjithashtu, nuk ngurroi të parashtronte aspektin e vetëmjaftueshmërisë energjetike të Shqipërisë, gjë e cila nëse arrihet, do të mund të ndikojë më pas në eksportimin neto të energjisë në kontinent.
Nga ana tjetër, ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri, Yuri Kim, ka theksuar se është koha për të diversifikuar burimet e energjisë dhe se Shqipëria është një prej vendeve që mund të ndihmojë me këtë gjë.
Më 17 mars të vitit 2021, gjigandi amerikan “ExxonMobil”, nënshkroi një Memorandum Mirëkuptimi (MoU) me qeverinë shqiptare për zhvillimin e një projekti të gazit natyror të lëngshëm në Portin e Vlorës. /Albanianpost.com