
Një valë e re tarifash amerikane ka hyrë në fuqi pas mesnatës së të enjtes, duke përfshirë mbi 90 vende në një përshkallëzim të fortë të luftës globale tregtare të nisur nga presidenti i SHBA-ve, Donald Trump. Megjithatë, Shqipëria nuk është në mesin e vendeve të goditura më rëndë.
Sipas urdhrit ekzekutiv të nënshkruar më 31 korrik nga presidenti amerikan, të gjitha eksportet shqiptare drejt SHBA-ve do të vazhdojnë të taksohen me një tarifë bazë prej 10 për qind, pa ndryshim nga normat e mëparshme.
Ndërkohë, vende të tjera të Ballkanit Perëndimor janë përfshirë në masa shumë më të ashpra: Serbia (37 për qind), Maqedonia e Veriut (33 për qind) dhe Bosnjë-Hercegovina (35 për qind) janë penalizuar për mosrespektim të kushteve reciproke në tregtinë me Shtetet e Bashkuara.
Shqipëria, së bashku me Kosovën dhe Malin e Zi, renditet në grupin e ngushtë të partnerëve me regjim tarifor të qëndrueshëm.
Drejtori Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri, Neritan Mullaj, e cilësoi këtë si një moment strategjik për të shtyrë përpara idenë e një marrëveshjeje të tregtisë së lirë me SHBA-të.
“Pozicioni gjeografik, stabiliteti politik dhe orientimi euroatlantik i Shqipërisë e pozicionojnë vendin tonë si një partner të besueshëm në rajon”, deklaroi ai.
Sipas tij, heqja e tarifave nga pala shqiptare mund të shërbejë si hap i parë për të nxitur një marrëdhënie ekonomike më të thelluar, me përfitime si rritja e eksporteve, shtimi i investimeve amerikane dhe krijimi i vendeve të reja të punës.
Të dhënat e vitit 2024 tregojnë një rritje të qëndrueshme të shkëmbimeve tregtare Shqipëri–SHBA, që arritën në 270 milionë dollarë.
Eksportet shqiptare përfshijnë aliazh metalik, alumin dhe bimë medicinale, ndërsa importet përbëhen kryesisht nga pajisje bujqësore, pjesë këmbimi dhe produkte ushqimore.
Këto tarifa variojnë në një gamë të gjerë, midis 15 për qind dhe 41 për qind.
Bashkimi Evropian (BE), Japonia dhe Koreja e Jugut, të cilët janë ndër partnerët kryesorë tregtarë të Shteteve të Bashkuara, tani preken nga një normë prej të paktën 15 për qind.
Para se këto taksa të reja të hynin në fuqi, norma mesatare efektive e aplikuar për produktet që hynin në vend ishte 18.4 për qind, më e larta që nga viti 1933, sipas qendrës kërkimore Budget Lab të Universitetit Yale
Komente