Frrok Çupi//

Në fakt vetëm zyrtarët e politikës janë akoma të ngrirë kundër Presidentit Donald Trump…Të tjerët dëshmojnë tjetër gjë.

Qysh në fillim… një taksi “e çmendur” vërtitej nëpër Tiranë e mbuluar e tëra nga portreti i Donald Trump; qysh se nisi fushata presidenciale, qershor 2015. Ishte e vetmja taksi dhe i vetmi objekt me këtë cover. Ndoshta edhe shoferi- një djalosh nga Lura me mbiemrin “Përgjegja”- s’e besonte se Donald Trump do të fitonte zgjedhjet presidenciale… Por ndodhi. Pak para se të ndodhte, një “esencë” njerëzish të informuar dhe jo-konformistë, mes të cilëve artistë dhe punëtorë, kishin fshehur përbrenda shpresën se Trump fiton. Duan ndryshimin. Ka njerëz  të guximshëm në radhët e kësaj kategorie (artistë e punëtorë) të cilët i japin të drejtë vetes që të sigurohen se fiton e mira që zgjedhin. Por fare pak prej tyre kishin guxuar ta shfaqnin hapur vullnetin e tyre pro- Trump. Pse?

O për arsye se “pro-Trump-ët” do të dukeshin si të veçuar në tufën e madhe të atyre  që ishin të sigurt se fitonte e kundërta, Hillary. O për arsye se dikush mund t’i shante: “qenke fare ti!”. Ose, për arsyen gjenerale, se këtu pushteti dhe opozita politike ishin bllok kundër Trump. Frika e pushtetit i tkurr njerëzit.

Sulmi i drejtpërdrejtë që kryeministri i Shqipërisë i bëri presidentit që po vinte, nuk kishte ngjarë kurrë; ishte i frikshëm në marrëzi. Po marrëzia, diku te njerëzit e “vegjël”, lexohet si forcë dhe pushtet.  Kryeministri mori rrugën nëpër televizionet shqip dhe të Botës e nisi të sulmojë egër . “Po të fitojë Trump- tha- ky është rreziku i Amerikës, jo imi”. Dhe pas kësaj tha se sikur të ndodhë… “ Shqipëria do të rishikojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara”.

… Sado që dimri hyri me faktin Trump- president i zgjedhur në Amerikë,  sado që acari i fundit bëri më ftohtë se kurrë, akulli kundër Trump këtu nuk u shkri. Akulli në kupolën e shtetit, sigurisht. Po pse ky oaz, në këtë cep të vogël të Botës zgjidhet si anti- Trump?

1.

Shërbesa ndaj skemës së Clintonëve e quajtur “pay-to-play”…  Analistët më të shquar amerikan kanë zbuluar se me këtë skemë, Clintonët kanë bërë trafikun më të madh të influencave. Qeveria, ndoshta mbarë politika këtu- duke përfshirë edhe opozitën, ishin klientë të Hillary, John Podesta dhe George Soros. E gjithë skema e qeverisjes dhe e politikës së Shqipërisë është lëvizur  nëpër gishtërinjtë e këtyre tre personave në Amerikë. Politikanët këtu janë skllevër të “swamp”-t të ligjëruar nga Trump dhe Reagan me sens për moçalet politike si ky i fundit. Deri në këtë orë të vonë të natës, qeveria po shërben “pay to play” që influencohet nga Hillary. Ja ora e fundit: Ministri i Jashtëm i Shqipërisë dje u kthye nga një vizitë e rrufeshme në Iran. Pse ishte?…  Dëshmitë janë se Bushati vizitoi presidentin dhe kryeministrin e Iranit në përpjekje për një zgjidhje me muxhahidinët. 3 ose 4 mijë muxhahidinë hynë në Shqipëri nën kujdesin e Obamës dhe Hillary- si shpërblesë për shërbimet e tyre ndaj qeverisë këtu. Çfarë do të bëhet me ta? Politika e Trump duket  se nuk është e këtij lloji: “Paguaj që të të paguaj”. Qeveria shqiptare bën shërbimin e  fundit pro- Hillary dhe anti- Trump me Iranin plot dilema…

2.

Dërgatat anti- Trump, menjëherë pas humbjes në Amerikë, zbarkuan në Tiranë. Po pse në Tiranë? Askund tjetër, as në Maqedoni, as në Serbi, as në Greqi… Në fillim George Soros me 6 dhjetor (i cili u prit solemnisht edhe nga opozita e djathtë); në zyrat e qeverisë ishte zot shtëpie. Më 7 Dhjetor këtu zbarkoi drejtori i CIA, John Brennan. Brennan mblodhi kokë më kokë qeverinë, Policinë, ShISH-in dhe ambasadorin Lu. Ndërsa në zyrën e  Presidentit “lau” fytyrën. Deri më 20 dhjetor nuk kishte asnjë informacion për vizitën; mediat “vodhën” diçka dhe sajuan ndonjë koment. Më 20 dhjetor drejtori i SHISH, Ajazi, komunikoi me gjuhë “sovjetike” mbi vizitën e suksesshme të drejtorit të CIA 13 ditë të shkuara. Më parë na kishte vizituar drejtori i Sigurisë Kombëtare, James Clapper. Të dy, si Clapper ashtu edhe Brannon, ishin dy njerëzit më të flaktë të administratës amerikane që luftuan kundër zgjedhjes së Trump. Madje duke shkelur edhe mbi parimet e Kushtetutës amerikane mbi rolin e institucioneve… Pas vizitës së Brennan në rajon nisën turbullira nacionaliste. Pas largimit nga Shqipëria Clapper plotësoi dosjen me akuza kundër Trump; ndërsa Brennan ndërtoi skemën e “ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhjet e Trump”. Vallë në këtë oaz e gjetën klimën më të mirë anti- Trump?…Një analizë më e hollësishme do të dëshmojë çfarë ka ndodhur ato ditë në kulisat e Tiranës… Por komploti kundër Trump u thur edhe këtu…

3.

Vizita e papritur e Presidentit të Republikës në “Tunelin” e Erdogan.

Ditën që shefi i SHISH shpalli vizitën e  Brennan në Tiranë, presidenti i Republikës u nis për në Turqi. Agjenda?… Asgjë…  Më vonë doli se Erdogan kishte inauguruar një tunel. Vetëm këta dy burra shteti; askush tjetër. Atë ditë ndodhi edhe vrasja e ambasadorit të Rusisë në Ankara. Erdogan, prej kohësh është lënë vetëm nga burrat e shtetit në botë. Pse presidenti ynë në këtë moment? Të gjithë sytë e analistëve ishin drejtuar te Siria, ISIS, Trump dhe në njëfarë mase te vizitat e Brennan në Shqipëri. Brennan u bë shumë agresiv kundër Trump sapo mbërriti në Uashington. Kishte shpresa se me makinacionet që u thurën (ndoshta edhe këtu në Tiranë), Trump do të rrëzohej. Sy të vëmendshëm të ngjarjeve më të mprehta po vëzhgonin edhe vizitën e presidentit Nishani në Turqi si të lidhur me porositë e Brennan. Nishani mund të ishte vetëm një fjalëtor, por jo një protagonist.

… Akoma nuk po shkrihet akulli anti- Trump në kupolën shtetërore dhe politike të Shqipërisë. Do të kalojë edhe dimri, ndoshta, pa u kuptuar çfarë ndodhi. Ngjarjet tronditëse në veri të Kosovës po vijojnë akoma pa shkrirë akulli. Edhe inaugurimi i Trump, gjithashtu para akullit. Por një ditë do të jetë stinë më e qartë…

/Veritas.com.al/