Nga veriu në jug, Shqipëria edhe ditën e sotme po përballet me pasojat e motit të keq.
Në Qarkun Korçë, gjatë natës ka patur reshje dëbore, veçanërisht në kuotën sipër 1200 metrat, por edhe në aksin Korçë-Voskopojë dhe Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë, ku ka reshje dëbore të pakta, dhe po punohet me mjete borëpastruese dhe për kriposjen e asfaltit.
Për momentin, qarkullimi nuk ka qenë problematik. Segmentet kryesore nacionale dhe ato turistike Qafa e Thanës-Pogradec-Korçë-Kapshticë, Korçë-Voskopojë, Boboshticë-Dardhë dhe Korçë-Qafa e Qarrit-Ersekë kanë qenë të hapura dhe pa probleme, është punuar gjatë gjithë natës për mirëmbajtjen e tyre.
Në bashkinë Kolonjë gjatë natës ka patur erëra të forta dhe shira të rrëmbyeshëm, ndërsa në mëngjes borë 2-3 centimetra. Si pasojë ka patur dëmtime në dy shkolla, respektivisht në Selenice – Shalsi dhe Borove, dhe po punohet për riparimin e tyre. Në dy shkollat e para do të kryen punimet nga bashkia ditën e sotme dhe nesër do të vijojë mësimi normalisht. Shkolla e Borovës ka kohë që nuk funksionon si shkollë.
Ka përmirësim te furnizimit me energji elektrike, sot ka defekte sporadike ne bashkinë Pogradec fshati Jollë, ne bashkinë Devoll fshati Çipan, në bashkinë Korçë, fshatrat Kodra dhe Peshtan, të Njësisë Administrative Vithkuq.
Në qarkun Shkodër, niveli i Drinit ushtë ulur me 40 centimetra, në kuotën 6 metra e15 centimetra, ndërkohë qe ai i liqenit është rritur me 5 centimetra. Sipas autoriteteve, sipërfaqja totale e përmbytur në Bashkinë Shkodër është rreth 1100 hektarë.
Në rrugën e Obotit, ku uji ka arritur 55 centimetrat, po operon një mjet i kalueshmërisë së lartë së bashku me 4 forca të ushtrisë, ndërkohë që Ujësjellësi Oblika 1 është jashtë funksionit.
Në Gjinar të Elbasanit, bora ka nisur por njëkohësisht është hedhur kripë për shmangien e aksidenteve, po ashtu edhe ne Labinot mal, dhe në zonën e Funarit.
Edhe Llogoraja këtë mëngjes është zbardhur nga dëbora, e cila gjithsesi nuk ka krijuar probleme në qarkullimin e automjeteve. Rruga është e hapur dhe kalohet pa zinxhir, ndërkohë dhe borëpastrueset kanë punuar gjatë natës që rruga të mos ketë probleme.