Shqipëria do të ketë një park teknologjik. Së shpejti pritet të miratohet ligji që lejon krijimin e një mjedisi të përbashkët për shkencëtar dhe startupe në fushën e teknologjisë. Por çfarë është një Technopark?

 “Parku teknologjik ofton një mundësi shumë të mirë për ndërtimin e një ekosistemi aty brenda të shumë aktorëve, duke filluar nga akademitë, bota e kërkimit, investitorët, inkubatorët dhe akseleratorët”, thotë eksperti IT Arjan Ymeri.

 Krahasuar me vendet e tjera të rajonit, Shqipëria si një treg tejet i ri është e prapambetur në digjitalizim këtë e dëshmon dhe mungesa e një mjedisi të tillë. Inovacioni është nxitësi kryesor strategjik për zhvillimin ekonomik të një vendi, ndaj sipas ekspertit Ymeri koncepti i këtij parku synon të tërheqë kompani të huaja si një burim i mirë investimesh.

“Koncepti funksionon mjaft mirë në vendet e huaja, ne kemi parë sa shumë ndihmon ekosistemin lokal për ato startup-e që kanë nevojë për një ndihmesë fillestare”, shton ai.

Disa nga lehtësitë fiskale që parashikon projektligji janë heqje e TVSH-s për mallrat dhe pajisjet e përdorura në park, kostot e trajnimeve për punonjësit rimburësohen pjesërisht nga shteti, aktivitetet që zhvillohen brenda parkut nuk do të tatohen për 15 vite të njëpasnjëshme, e po ashtu edhe pagat e personelit përjashtohen nga taksat për një periudhë 10-vjeçare.

Për njohësit e fushës, kalimi nga ekonomia tradicionale në ekonomi digjitale ka nevojë për zhvillim të një ekosistemi të inovacionit. Një hapësirë e tillë ka potencialin të bëhet një qendër jetike për të gjithë të apasionuarit e fushës.