Në muajin mars Shqipëria do t’i bashkohet vendeve që kanë një ‘sy’ në hapësirë. Pritet të lëshohet sateliti ‘Albania 1’. Lajm e ka dhënë Kryeministri Rama teksa ka postuar një video të një bisede me një ekspert të kompanisë SPACE X, për mënyrën se si do të bëhet lëshimi i satelitit.

Rama: Pra jemi këtu.
-Po, ky është lëshimi i Spacex Falcon 9, që u bë në qershor. Lëshuam katër satelitë gjatë tij. Lëshuam satelitin Mark 4, variantin 17, 18, 19, që është modeli i ri. Kjo që po shihni është lëshimi në orbitë.
Rama: Domethënë, Albania 1 kur do të jetë gati? Në mars?
-Po, në mars do të lëshohet. Do duket kështu si kjo. Do të filmojmë një video dhe gjëja tjetër që do të shohim pas shkëputjes do të jetë vendosja e satelitit në orbitë.
Rama: Po Albania 2? Në qershor…
-Saktë…
Rama: Super
-Kjo është pamje e orbitës ku do lëshohen
Rama: Shqipëria në orbitë. E pabesueshme, por e vërtetë.
-Po, zotëri

Kryeministri Edi Rama habiti jo pak disa ditë më parë kur deklaroi ambicien që Shqipëria të ketë dy satelitë në orbitë, ndërsa një ditë më pas ka theksuar edhe njëherë se një gjë e tillë do të ndodhë shumë shpejt. Për mediat, pas përfundimit të mbledhjes me Kryesinë e PS, Rama theksoi se satelitët dhe dronët inteligjentë do të ndihmojnë për të patur kontroll të plotë mbi të gjithë territorin e vendit. Ai u shpreh  se Shqipëria nuk do të dërgojë satelitë në orbitë për ofensiva ushtarake apo për kërkime në Mars, teksa shtoi se do të shpërbejnë për çështje civile të vendit, duke përmendur edhe luftën kundër krimit të organizuar.

Ambicien për të patur dy satelitë në orbitë ‘Albania1′ dh e’Albania2’, Rama e bëri me dije në Kuvend, duke shkaktuar edhe të qeshura në radhët e opozitës.

Basha reagoi me ironi duke thënë se kjo është taktikë për të ruajtur statuskuojë.

“Ti lideri global i satelitëve ku njerëzit nuk paguajnë dot 2 patate dhe  qepë. Kjo është statuskuoja që ju doni të flisni për satelitë kur njerëzit vuajnë”, tha Basha.

Satelitët artificialë janë pajisje të cilat shërbejnë për transferim të të dhënave anembanë rruzullit tokësor. Satelitët artificialë janë objekte të ndërtuara nga njeriu, të cilat janë të vendosura në orbitë nga largësia 2.000 deri në 35.000 km nga sipërfaqja e Tokës. Në orbitë ata rrotullohen rreth tokës.

Sateliti i parë i dërguar në orbitë ishte Sputnik 1 në 4 tetor 1957. Pas tij u dërguan dhe shumë satelitë të tjerë. Sot në orbitë ndodhen rreth 4000 satelitë të dërguar nga njeriu. Pasi e mbarojnë misionin e tyre ata fillojnë të zvogëlojnë lartësinë duke u futur në atmosferën e tokës dhe duke u shpërbërë, por ka dhe raste kur ata arrijnë deri në sipërfaqen e tokës, këto hyrje në atmosferën e tokës shpesh herë janë të kontrolluara nga njeriu, i cili komandon momentin në të cilin sateliti do të “bjerë”. Më pak se 10 % e satelitëve që rrotullohen në orbitën e tokës janë funksionalë, të tjerët janë mbeturina që enden në orbitë. Masat e këtyre satelitëve variojnë nga disa ton deri në disa kg.