Sipas kreut të Qeverisë, presidenti Ilir Meta e ka bërë Shqipërinë të duket vend “qesharak”, prandaj mazhoranca po përgatit ligjin e ri për presidentin.
“Grupi Parlamentar ka ngarkuar një ekip për të përgatitur ligin për presidentin, gjë që nuk e kemi shtyrë më tutje, duke e quajtur të panevojshme që në kushtet kur kemi të bëjmë me një president që nuk e njeh ligjin, Kushtetutën apo binar tjetër veç binarit linear të mosarsyes së vet, do të ishte e kotë, ndaj bashkë me zgjedhjen e presidentit do fusin me proces edhe ligjin”.
“Meta e ka bërë Shqipërinë qesharake me dekret presidencial dhe kjo do të ndryshojë, është e rëndësishme për shtetin, për seriozitetin e një shteti dhe do të kemi një shtet më serioz, duke pasur një figurë më serioze, një ligj për institucionin e presidentit, një sistem titujsh e medaljesh serioz, siç e ka gjithë planeti”.
Gjithashtu Rama kërkoi që presidenti i ri nuk duhet të jetë një figurë e ngjyrosur politikisht. Emrat e propozuar nga mazhoranca, sipas numrit një të Qeverisë, “nuk mund të bëhen mish përtop për mediat”.
“Sot jemi përballë një sfide shumë të madhe. Nuk duam një figurë të ngjyrosur tërësisht politikisht. Ajo që duhet të bëjmë, është të bëjmë një sforco të përbashkët, duke u hapur rrugë të gjitha detyrimeve të gjithsecilit këtu. Ne nuk mund të hedhim emra që, pastaj, bëhen mish përtop për mediat. Ne kemi detyrimin t’u japim njerëzve mundësinë që të shprehen për këtë temë dhe, natyrisht, duke përcaktuar disa piketa”.