(FOTO: Fragment nga punimet në Parlamentin e Malit të Zi)

Koalicioni “Shqiptarët të vendosur”, i cili në zgjedhjet e 16 tetorit mori një vend në Parlamentin e Malit të Zi, arriti sot marrëveshje me Partinë Demokratike Socialiste të ish kryeministrit Milo Gjukanoviç për bashkëqeverisje në Malin e Zi.

Marrëveshja u arrit pasi koalicioni shqiptar dhe Partia Demokratike Socialiste, që fitoi më shumë vota në këto zgjedhje, vendosën që qyteti i Tuzit me shumicë shqiptare, të shpallet komunë e plotë dhe e pavarur deri në pranverë të vitit të ardhshëm.

U vendos që kryetari i Unionit Demokratik të Shqiptarëve, Mehmet Zenka, që ishte pjesë e koalicionit, të marrë postin e ministrit të të Drejtave të Njeriut dhe të Pakicave në Qeverinë e Mali të Zi.

Deputeti i koalicionit “Shqiptarët të vendosur”, Genci Nimanbegu është zgjedhur nënkryetar i Parlamentit të Malit të Zi me mbështetjen e 42 votave nga 81 vota që ka Parlamenti. Zoti Nimanbegu e bëri në gjuhën shqipe betimin para deputetëve.

Koalicioni “Shqiptarët të vendosur” përbëhet nga tre partitë politike shqiptare: Forca, Unioni Demokratik i Shqiptarëve dhe Alternativa Shqiptare.

Pas bisedimeve me përfaqësuesit e pakicave, i mandatuari për formimin e Qeverisë, Dushko Markoviq, pritet që në fillim të javës së ardhshme të shpallë zyrtarisht Qeverinë e re të Mal të Zi.

/Veritas.com.al/